75 Mall Live Search
16:24 / E Enjte, 10 Korrik 2025 / Z S

Kushtetuesja i kthen përgjigje Avokatit të Popullit për Ligjin për Skemat Pensionale

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka publikuar aktgjykimin për kërkesën e parashtruar nga Avokati i Popullit për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, të miratuar më 7 korrik 2023.

Në njoftimin e Kushtetueses thuhet se Gjykata, njëzëri vendosi të deklarojë kërkesën të pranueshme, dhe të konstatojë që neni 4 i Ligjit të kontestuar, që shton nenin 8A, pas nenit 8, në Ligjin për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti (në tekstin e mëtejmë: Ligji bazik), nuk është në kundërshtim me nenin 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës të Kosovës, dhe me nenin 14 (Ndalimi i diskriminimit), si dhe nenin 1 (Ndalimi i Përgjithshëm i Diskriminimit) të Protokollit nr. 12 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Gjykata u njohu pensionin punëtorëve të larguar nga puna gjatë viteve 1989-1999.

Aktgjykimi i plotë i Kushtetueses:

(i) Nëse Ligji i kontestuar është në përputhje me Aktgjykimin KO35/24

Gjykata sqaroi se në Aktgjykimin KO190/19 kishte gjetur që Ligji bazik së bashku me Udhëzimin administrativ nr. 09/2015, përcaktonin se e drejta në pensionin kontributpagues të moshës realizohet nga personat që kanë stazh pensional kontributpagues së paku pesëmbëdhjetë (15) vite, sipas Ligjit nr. 011-34/83 të ish-KSAK-së, para 1 janarit 1999. Gjykata kishte vlerësuar se: (i) kriteri pesëmbëdhjetë (15) vjeçar ishte i përcaktuar me ligj; (ii) kishte qëllim legjitim, sepse synonte stabilitetin ekonomik të vendit; (iii) mirëpo ishte joproporcional, sepse punëtorëve të arsimit, të shëndetësisë dhe të tjerëve që kishin punuar në sistemin e Republikës së Kosovës nuk iu kërkohej dëshmia për pagesën e kontributeve për vitet e periudhës diskriminuese 1989-1999, ndërsa punëtorëve të ndërmarrjeve shoqërore, gjyqësisë, policisë, pozitave profesionale dhe të tjerëve u kërkohej dëshmia e tillë, përkundër faktit që të dy grupet ishin në pozita të ngjashme apo relativisht të ngjashme. Gjykata rikujtoi se në Aktgjykimin e saj në rastin KO190/19 nuk e kishte shfuqizuar kriterin pesëmbëdhjetë (15) vjeçar, por kishte vlerësuar se të gjithë punëtorëve të cilët ishin larguar nga puna, si rezultat i masave diskriminuese, duhet t’u njihet njëtrajtshëm stazhi i punës për vitet 1989-1999 për të realizuar pensionin kontributpagues.

Gjykata vërejti se paragrafi 1 i nenit 8A i Ligjit bazik, përcakton që: “1. Personat që kanë kontribuar sipas Ligjit për Sigurimin Pensional dhe Invalidor Nr. 011-24/83 (Gazeta Zyrtare e KSAK Nr. 26/83) para datës 01.01.1999, por nuk e arrijnë stazhin pensional prej pesëmbëdhjetë (15) vitesh kontribute, si periudhë kushtëzuese, për shkak se janë larguar nga puna si rezultat i masave të dhunshme, mund të kualifikohen në skemën e pensionit parcial kontributpagues të moshës, sipas kritereve dhe kushteve të përcaktuara në këtë nen.”

Paragrafi 2 i nenit 8A, përcakton që: “2. Të drejtën në pension parcial kontributpagues të moshës e realizojnë të gjithë personat të cilët kanë shtetësi të Kosovës dhe të cilët plotësojnë kushtet në vijim: 2.1. kanë mbushur moshën gjashtëdhjetë e pesë (65) vjeçare; 2.2. ofrojnë dëshmi të vlefshme mbi pagesën e kontributeve sipas dispozitave të Ligjit për Sigurimin Pensional dhe Invalidor nr.011-24/83 (Gazeta Zyrtare e KSAK nr.26/83) para datës 01.01.1999; 2.3. janë larguar nga puna pas datës 01.01.1989 si rezultat i masave të dhunshme; 2.4. shuma e periudhës së kontributeve të paguara sipas nën-paragrafit 2.2 si dhe periudhës nga data e largimit të dhunshëm nga puna sipas nën-paragrafit 2.3 e deri më 01.01.1999 bashkërisht arrijnë nivelin prej pesëmbëdhjetë (15) vitesh.”

Gjykata në Aktgjykim theksoi se, Ligjvënësi ka krijuar një skemë të re pensionale “pension parcial kontributpagues të moshës”, e cila tashmë ua njeh të drejtën në pension kontributpagues të moshës të gjitha kategorive të punëtorëve, përfshirë punëtorët e ndërmarrjeve shoqërore, gjyqësisë, policisë dhe të tjerëve, të cilët nuk e arrinin kushtin pesëmbëdhjetë (15) vjeçar të stazhit pensional, për shkak se u kërkohej dëshmi për kontributet e paguara për vitet 1989-1999 – përkundër faktit që të njëjtit ishin larguar nga puna, si rezultat i masave diskriminuese. Gjykata tutje qartësoi se, për të përmbushur kriteret ligjore sipas skemës së re (parciale) pensionale të paracaktuar nga Ligji i kontestuar, përfituesi duhet të përmbushë kriteret në mënyrë kumulative: (i) të arrijë moshën gjashtëdhjetë e pesë (65) vjeçare; (ii) të ofrojë dëshmi të vlefshme mbi pagesën e kontributeve, para 1 janarit 1999; dhe (iii) të ofrojë dëshmi të largimit të tij/saj nga puna, pas 1 janarit 1989 – deri më 1 janar 1999. Ligji i kontestuar përcakton që: (i) kontributet e paguara para 1 janarit 1999, respektivisht para 1 janarit 1989; dhe (ii) periudha e largimit nga puna, pas 1 janarit 1989 – deri më 1 janar 1999, të marra së bashku arrijnë nivelin prej pesëmbëdhjetë (15) vitesh të stazhit pensional. Ky kusht vlen njëjtë për të gjitha kategoritë që nuk arrinin të dëshmonin stazhin pensional prej pesëmbëdhjetë (15) vitesh, përmes pagesës së kontributeve para 1 janarit 1999, për shkak të largimit të dhunshëm nga puna.

Me këtë rregullim ligjor, nuk kërkohet dëshmi për pagesën e kontributeve për vitet 1989-1999, por vetëm dëshmi për largim nga puna përgjatë kësaj dekade, për të vërtetuar pamundësinë objektive të kontributit në skemën pensionale kontributpaguese të moshës. Po ashtu, në këtë skemë përfshihen të gjitha kategoritë e punëtorëve, duke u eliminuar diskriminimi midis grupit të parë të punëtorëve të arsimit dhe të shëndetësisë, dhe grupit të dytë të punëtorëve të ndërmarrjeve shoqërore, policisë, gjyqësisë dhe të tjera.

Gjykata vlerësoi se mënyra e përcaktimit të pensioneve përmes skemës parciale kontributpaguese të moshës përmes nenit 4 të Ligjit të kontestuar, ua njeh përvojën e punës dhe kontributet pensionale, pa dallim, të gjithë punëtorëve të dëbuar dhunshëm nga puna përgjatë viteve 1989-1999, duke shmangur kësisoj çfarëdo forme të diskriminimit dhe të trajtimit të pabarabartë midis grupeve, në lidhje me të drejtën e tyre për realizimin e pensionit kontributpagues të moshës. Gjykata vlerësoi që zgjidhja e përcaktuar përmes Ligjit të kontestuar, paraqet një ekuilibër të drejtë mes qëllimit legjitim të mbrojtjes së interesit publik dhe të drejtave dhe lirive themelore të individit.

(ii) nëse Ligji i kontestuar është në përputhje me nenin 24 të Kushtetutës përkitazi me diskriminimin midis grupeve

Në kontekst të diskriminimit, Gjykata vlerësoi nëse Ligji i kontestuar bën dallimin në trajtim ndërmjet personave të dy kategorive të përfshira në skemën e pensionit parcial kontributpagues të moshës (a) nëse ky dallim është i përcaktuar me ligj; (b) nëse i njëjti ndjekë një qëllim legjitim; dhe (c) nëse ekziston një marrëdhënie e proporcionalitetit ndërmjet kufizimit të së drejtës dhe qëllimit që është synuar të arrihet me plotësim ndryshimin e Ligjit bazik.

a) nëse ka pasur dallim në trajtim
Gjykata vlerësoi se ekziston “dallimi në trajtim” ndërmjet personave të ndodhur në situata të ngjashme ose relativisht të ngjashme, për sa i përket (a) kritereve për t’u kualifikuar në “skemën parciale kontributpaguese të moshës” dhe (b) lartësisë së pensionit, sipas viteve të kontributdhënies. Ky dallim qëndron në faktin se personat që janë punësuar pas 1 janarit 1984 dhe të cilët nuk plotësojnë kriterin pesëmbëdhjetë (15) vjeçar, për sa i përket a) përvojës së punës, pavarësisht se mund të kenë edhe katërmbëdhjetë (14) vite kontribute të paguara, nuk mund të përfitojnë pension nga kjo skemë e re pensionale. Respektivisht, në këtë kategori bëjnë pjesë të gjithë pensionistët, nga grupi i parë dhe i dytë, që nuk mund të përmbushin kumulativisht kriteret sipas nënparagrafit 2.2 dhe 2.3 të nenit 8A.

b) nëse dallimi është i përcaktuar me ligj
Gjykata vlerësoi se kategoria e pensionistëve që gëzojnë pension nga skema parciale kontributpaguese e moshës, është e përcaktuar përmes dispozitave të nenit 8A. Bazuar në këto dispozita, “dallimi në trajtim” ndërmjet personave të ndodhur në “situata analoge ose relativisht të ngjashme”, për sa i përket a) kritereve për t’u kualifikuar në “skemën parciale kontributpaguese të moshës” dhe b) lartësisë së pensionit, është i përcaktuar nëpërmjet paragrafëve 1, 2, 3 dhe 4 të nenit 8A, i shtuar në Ligjin bazik, pas nenit 8, nëpërmjet nenit 4 të Ligjit të kontestuar.

c) nëse dallimi ndjek një qëllim legjitim
Gjykata vlerësoi se dallimi ndërmjet grupeve i përcaktuar përmes dispozitave të Ligjit të kontestuar, ndjek një qëllim legjitim, për shkak se synon të garantojë stabilitetin ekonomik të vendit. Republika e Kosovës u përball me një tërësi sfidash të lidhura me nevojën për të ngritur një sistem të qëndrueshëm të sigurimeve shoqërore, i kushtëzuar po ashtu edhe me kapacitetin e reduktuar buxhetor të vendit.

d) nëse dallimi në trajtim është proporcional
Gjykata vlerësoi se mënyra e përcaktimit të kushteve dhe e lartësisë së pensioneve, përmes “skemës parciale kontributpaguese të moshës”, siç është rregulluar aktualisht përmes dispozitave të nenit 8A, të shtuara pas nenit 8 në Ligjin bazik, nëpërmjet nenit 4 të Ligjit të kontestuar, është gjithëpërfshirëse, e cila njëtrajtshëm ua njeh (a) përvojën e punës dhe (b) kontributet pensionale, pa asnjë dallim, të gjithë punëtorëve të dëbuar dhunshëm nga puna përgjatë viteve 1989 – 1999, duke shmangur kësisoj çdo formë të diskriminimit dhe të trajtimit të pabarabartë para ligjit, mes grupeve të ndodhura në rrethana të ngjashme faktike dhe juridike. Për më tepër, Gjykata theksoi se edhe dallimi në trajtim i cili ekziston mes personave të ndodhur në situatë analoge apo relativisht të ngjashme, brenda vet grupeve, për sa i përket kritereve dhe lartësisë së pensioneve, është proporcional me qëllimin legjitim, ngase merr parasysh vitet e kontributdhënies para 1 janarit 1999.

Duke pasur parasysh të gjitha shtjellimet në Aktgjykimin e publikuar, Gjykata vlerësoi se Ligjvënësi, me plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit bazik nëpërmjet nenit 4 të Ligjit të kontestuar, ka marrë parasysh gjetjet e Gjykatës të shprehura përmes Aktgjykimit të saj në rastin KO190/19, të 30 dhjetorit 2022, ku specifikisht është theksuar: (i) shmangia e normave diskriminuese nga Ligji bazik, që përjashtonin punëtorët e ndërmarrjeve shoqërore, administrative, gjyqësisë, policisë, pozitat profesionale, të zanatit dhe të tjerët, nga e drejta në pensionin kontributpagues të moshës vis a vis kategorisë së punëtorëve të arsimit, shëndetësisë dhe të tjerëve që kanë punuar në sistemin e Republikës së Kosovës; (ii) përfshirja e punëtorëve të ndërmarrjeve shoqërore, administrative, gjyqësorit, policisë, të zanatit dhe të tjerëve në skemën kontributpaguese të moshës, të cilët po ashtu u dëbuan nga puna përgjatë viteve 1989-1999, duke rikujtuar faktin se: (iii) “…i takon pushtetit ekzekutiv dhe legjislativit,” që të përcaktojnë kritere proporcionale dhe të arsyeshme në lidhje me fitimin e statusit të pensionit kontributpagues të moshës, bazuar në kritere proporcionale sipas viteve të kontributeve.

Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se neni 4 i Ligjit të kontestuar, që e shton nenin 8/A, pas nenit 8, në Ligjin Nr. 04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti nuk është në kundërshtim me dispozitat e nenit 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 14 (Ndalimi i diskriminimit) të KEDNJ-së, dhe nenin 1 (Ndalimi i përgjithshëm i diskriminimit) të Protokollit nr. 12 të KEDNJ-së./Indeksonline/