10:21 / E Enjte, 07 Maj 2020 / indeksADMonline

Kushtetutshmëria kryefjalë e leksionit për aktualitetin politik

Halit Krasniqi

Gjykata Kushtetuese është para sprovës së krijuar nga konflikti politik me konotacione shqetësuese, por mund të jap një leksion që do të shërbej si epilog për situata të ngjashme në të ardhmen. Gjykata ka autoritetin për të krijuar efektin në ndërgjegjësimin e të gjitha subjekteve politike nga Aktgjykimi për kompetencat e presidentit në procedurat për mandatarin. Ky institucion, përmes këtij testi, do të dëshmoj se formulimet kushtetuese si gardian i kushtetutshmërisë së institucioneve të Republikës së Kosovës, janë më sugjestionuese se sa kërcënimet nga lidershipi që i ka adresuar ato për të vendosur sipas preferencave të subjektit ankimues.

Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në vitin 2014, krijoi një standard për rolin e subjektit të parë të renditur nga zgjedhjet e lira që ia ka atribuuar Kushtetuta e Kosovës dhe që asnjë pasion politik dhe asnjë aleancë pas zgjedhore e gjithë atyre që janë radhitur në pozita pas të parit, me çfarëdo diference numrash, nuk lejohen të bëjnë rend të ri dhe rregullim sipas imponimit të vullneteve të tyre, sepse konsiderohet përmbysje e rregullimit kushtetues. Prej atëherë pas çdo parë zgjedhjeje është manifestuar ky efekt.

Tani, kemi sfidën për leksionin e radhës që pastaj do të shërbej për kohë të gjatë deri të bëhen plotësime e saktësime në Kushtetutë, përkitazi me veprimet e diskutueshme aktuale. Mbase, pas këtij aktgjykimi edhe ndryshimet në Kushtetutë nuk do të duhej të bëheshin, deri sa të ndërtohej një vullnet nga të gjitha subjektet politike dhe të krijohej një harmoni në mes tyre. Sepse me këtë shpjegim për përputhshmërinë e kompetencave të presidentit me frymën kushtetuese, do të bëhet funksionale me këto formulime që ka. Pastaj mbetët vetëm një ndryshim plotësim për formulimin problematik të 2/3 të deputetëve që përfaqësojnë komunitetin jo shumicë për çështje të caktuara.

Meqenëse koalicioni i arritur pas zgjedhjeve u prish nga një aksident i krijuar në raportet e ndërsjella, institucioni i presidentit obligohej që të filloj procedurat për nominimin e mandatarit të ri. Procedurat e respektuara në bazë të formulimeve kushtetuese, kanë prodhuar një lëndë për  Gjykatë Kushtetuese. Ky institucion që është gardian i Kushtetutës,  duhet ta ketë në konsideratë se me aktgjykimin e kësaj çështjeje, do ta krijoj një standard të ri me rastin e prishjeve të koalicioneve në të ardhmen. Ky mentalitet i manifestuar tani, të mos krijoj precedente të tilla edhe në të ardhmen.

Subjekti i parë assesi nuk mund të tejkalohet deri kur ta refuzojë propozimin e emrit për mandatar apo deri sa ta injoroj rolin e institucionit të presidentit për t’i ushtruar kompetencat kushtetuese. Në rast të vonesave në përgjigje pa mbarim me insistimin për përsëritje të zgjedhjeve, duke bërë interpretime të formulimeve kushtetuese me një zhargon që nuk përkojnë me situatat aktuale dhe as me formulimet kushtetuese në tërësi. Gjatë trajtimit të lëndës për përputhshmërinë e kompetencave kushtetuese të presidentit për emërimin e mandatarit, pas votimit të suksesshëm të një Mocioni mosbesimi, arsyetimi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, duhet t’i ketë në konsideratë edhe këto aspekte me karakter të përhershëm me këtë rast:

Një, të ndërtoj një arsyetim dhe të bije një vendim që pastaj në pragmatizmin tonë politik dhe institucional, të mos krijohet lidership me primesa monarkiste e me autoritet kushtetues despotik, duke injoruar mundësinë kushtetuese për propozimin e mandatarit të dytë. Në rastet kur gjatë propozimit të parë manifestohen obstruksione ndaj procedurave kushtetuese të respektuara nga Presidenti, të mos  krijohen praktika komunikimi deri në injorim të përgjegjësive të tij kushtetuese nga subjekti që i kërkohet propozimi për mandatarin;

Dy, të parandaloj praktika që vendin tonë e dërgojnë në zgjedhje të parakohshme sa herë që të preferojë egocentrizmi i akëcilit lider, fiksimet e llojeve despotike, fetishet monarkiste, duke injoruar rregullimin e zgjidhjeve kushtetuese përmes mundësisë me procedurat legjitime dhe legale për mandatarin e dytë, që është paraparë në formulime kushtetuese, por me një përshkrim me paqartësi për opinionin dhe një mundësi për subjektet me synime anarkiste për të realizuar programet dhe synimet e tyre;

Tre, Gjykata Kushtetuese  duhet ta arsyetoj e ta potencoj rëndësinë që ka formulimi i neneve përkatëse ku i atribuohen  kompetencat konkrete presidentit që e obligojnë atë për të plotësuar zbrazëtitë dhe paqartësitë në ato pjesë ku do të paraqitet nevoja për ndërhyrjet e tij. Por, gjithsesi, çdo ndërhyrje duhet ta bej me procedura të legalitetit dhe legjitimitetit në frymën kushtetuese. Kur respektohen këto procedura, atëherë vendimet e institucionit të presidentit, duhet të mbështetën dhe të respektohen pa mëdyshje. Natyrisht se me rastin e aktgjykimit të pritur mund të bëhet arsyetim i cili do të krijoj bindjen në opinionin kureshtar me interpretimet profesionale.

Katër, në rastet e prishjeve të koalicioneve me qëllim për të shkuar në zgjedhje të reja, pa arsye objektive sikur në rastin aktual, kur ka stabilitet dhe vullnet të shumicës së kualifikuar në Kuvend, të respektohet e drejta e institucionit të presidentit që pas  injorimit nga subjekti i parë, të kalojë në procedurën sipas formulimeve kushtetuese për propozimin e kandidatit tjetër, që mund ta bej vendimmarrjen në Kuvend, duke shmangur shkuarjen në zgjedhje konform Kushtetutës. Me institucionalizimin e kësaj praktike, eliminojmë shkuarjen në zgjedhje për teke e trille, për ambicie e protagonizëm anarkist, duke sfiduar institucionet e shtetit në procesin e njohjeve ndërkombëtare dhe në integrimet euro-atlantike. 

Kushtetutshmëria është kryefjalë e leksionit për aktualitetin politik. Akceptimi i saj bëhet në bazë të vokacioneve dhe formimeve tona. Interpretimin e saktë dhe kompetent e bën vetëm gardiani i Kushtetutës. Respekt absolut për vendimet që bije Gjykata Kushtetuese në trajtimet e saj!