13:38 / E Enjte, 29 Tetor 2020

Kuvendi i Kosovës dështon sërish, që të votojë projektligje e rezoluta

Deputetët e Kuvendit të Kosovës as të enjten nuk kanë arritur që të votojnë disa projektligje për marrëveshjet ndërkombëtare.

Nga seancat e kaluara, të mbajtura më 16 dhe 21 tetor, ka mbetur pa u miratuar Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim lidhur me financimin e programit – nxitja dhe leximi i mundësive për sigurimin e ujit.

Po ashtu në rend të ditës për t’u votuar ishte edhe Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për Likuiditet të Urgjencës së Infrastrukturës Vitale, që është arrituar mes Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Në mungesë të kuorumit as Projektligji për ratifikimin e kontratës financiare, ndërmjet Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin e impiantit të ujërave të zeza në Gjilan, nuk ka kaluar.

Në mesin e projektligjeve që nuk kanë marrë votat e mjaftueshme ka qenë edhe ai për Mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në të mirë të këtij projektligji të enjten kanë votuar vetëm 31 deputetë.

Ky dokument ka disa nene, të cilat po i kontestohen.

I pari është neni 3 që definon atë se çka është vlerë e luftës, pastaj neni 5 që flet për respektimin e vlerave të luftës si edhe neni 9 që flet për dispozitat ndëshkuese.

Më herët edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, pati thënë se Ligji i propozuar për vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës “është mënyrë e gabuar për të treguar respekt për UÇK-në”.

Gjatë kësaj senace nuk ka kaluar as rezoluta nga raportimi i kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, meqë kishte kuorum për vendimmarrje.