12:57 / E Hënë, 04 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Kuvendi kërkon të hetohen të gjithë anëtarët e bordeve publike

Anëtarët e Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media sot kanë kërkuar nga Agjencia Kundër Korrupsion dhe prej Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës që për të gjitha bordet e agjencive të pavarura dhe të ndërmarrjeve publike në Kosovë të cilat janë zgjedhur nga Kuvendi dhe nga Qeveria të verifikohen për konflikt interesi që mund të kenë anëtarët e tyre.

Kryetari i këtij Komisioni Nait Hasani, ka thënë se ka anëtarë të bordeve që marrin nga tri paga për një muaj në mënyrë jo të ligjshme, dhe kjo sipas tij, duhet parandaluar.

Edhe Shqipe Pantina është pajtuar me këtë kërkesë dhe ka thënë që mos të lejohet në asnjë mënyrë që të keqpërdoret paraja publike nga zyrtarë të angazhuar me nga dy -tre pozita.

Deputetja e PDK-së Xhevahire Izmaku, ka thënë se të gjithë janë të thirrur si deputet që ta ruajnë buxhetin e Kosovës, dhe ka shtuar se nuk ka nevojë t’ia falin askujt shkeljet ligjore.

Milaim Zeka , nga Nisma tha se janë edhe dy anëtarë të bordit që po shkelin ligjin dhe kanë konflikt interesi, edhepse nuk i ka përmendur emrat.

Kjo kërkesë ka ardhur sipas Nait Hasanit, me arsyetimin se kuvendi ka filluar me një shkarkim nga pozita gjatë javës së kaluar, ku në seancën e kaluar të Kuvendit deputetët kanë shkarkuar  Mimoza Pllana-Hasanin nga Bordi i RTK-së për shkak të konfliktit  të interesit.

Në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media sot ka diskutuar edhe për projektligjin për kryeqytetin e Kosovës. Anëtarët kanë caktuar ditën e hënë të javës së ardhshme dëgjimin publik në orën 13:00 për Projektligjin për Prishtinën.   Në këtë mbledhje Komisioni ka proceduar në Qeveri edhe Projektligjin për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.