20:06 / E Martë, 05 Qershor 2018 / indeksADMonline

Kuvendi mbyll punimet në mungesë kuorumi

Kuvendi i Republikës së Kosovës sot për tetë orë ka zhvilluar punimet e seancës. Në dy pikat e zakonshme të rendit të ditës, koha për deklarime jashtë rendit të ditës, shumë deputetë e morën fjalën në emër të grupeve parlamentare dhe ngritën çështje shqetësuese për probleme të ndryshme.

Ndërsa lidhur me Pyetjet parlamentare, përgjigje pyetjeve të deputetëve iu dhanë vetëm ministrat Skender Reçica dhe Uran Ismaili të pranishëm në sallë.

Para se të vijohej më tej u bënë dy deklarime, për të cilat u deklaruan të gjitha grupet parlamentare; – shtyrja e dy interpelancave për shkak të mungesës së kryeministrit si dhe kërkesa e listës serbe për heqjen nga rendi i ditës i pikës 16, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Lirinë Fetare në Kosovë. Të dyja kërkesat me votim u miratuan.

Më tej Kuvendi vijoi punimet me shqyrtimin e parë të Projekt-kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri paraqiti punën e kryer për këtë projekt-kod dhe ndryshimet që kanë ndodhur. Ai theksoi se do ketë amandamente të shumta për këtë projekt-kod, por nuk duhet ndryshuar struktura e tij. Ai dha sqarime të shpeshta gjatë debateve të deputetëve dhe duke premtuar se do të punojnë bashkërisht me deputetët për ta çuar përpara këtë projekt-kod, kërkoi miratimin në parim të tij.

Lidhur me projektligjin për Institucionet Mikrofinanciare dhe Institucionet Financiare Jo Bankare, arsyetimin e këtij projektligji e bëri ministri i Financave Bedri Hamza. Debatet më të gjata u zhvilluan lidhur me konceptin e fondeve për shoqatat, OJQ-të, të cilat kanë krijuar fonde dhe tashmë si duhet të veprohet me fondet e tyre, pasi bëhet fjalë për një fond prej rreth 30 milion eurosh. Pasi rreshtën debatet drejtuesi i seancës për mungesë kuorumi e mbylli për të vijuar nesër në orën 10.30./Indeksonline/

Temat: