17:31 / E Hënë, 20 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Kuvendi të enjten diskuton për Ligjin e Prishtinës

Kuvendi i Kosovës, të entjen , në orën 10:00, do të mblidhet në seancë plenare, në të cilën do të shqyrtojë një varg projektligjesh.

Në seancën e 23 nëntorit, përveç deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, do të shqyrtohen për herë të parë 11 projektligje: Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit lirinë fetare në Kosovë, Projektligji për kryeqytetin e Republikës së Kosovës/Prishtinën, Projektligji për tatimin në pronën e paluajtshme, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për trashëgiminë në Kosovë, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Presidentin e Republikës së Kosovës, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për procedurën jo-kontestimore, Projektligjit për ndërmjetësim, Projektligji për shoqëritë tregtare, Projektligjit për standardizim, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror, i ndryshuar dhe i plotësuar me Ligjin nr. 04/L-214, Projektligji për infrastrukturën kritik e, si dhe Projektligji për noterinë.

Po ashtu në këtë seancë do të  shqyrtohet rekomandimi i Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, për shkarkimin e një anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, ndërsa më pas, tri raporte të institucioneve të pavarura për vitin 2016: raporti i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, raporti financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016 dhe raporti për funksionimin e sistemit të kontrollit të brendshëm të financave publike në sektorin publik të Kosovës për vitin 2016.

Seanca e Kuvendit pritet të vazhdojë me formimin e Komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti serb, si dhe formimin e Komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit për Ankesa.

Dy pikat e fundit të rendit të ditës do të jenë: zgjedhja e një anëtari të Komisionit të Pavarur të Mediave dhe zgjedhja e dy anëtarëve të Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës./Indeksonline/