17:34 / E Enjte, 15 Mars 2018 / indeksADMonline

Kuvendi voton komisionin për provimin e jurisprudencës

Votimi i Komisionit të Jurisprudencës ka gëzuar ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri. Sapo u votua ky komision, ministri ka shkruar në rrjetin social, Facebook, duke falënderuar deputetët për votën e tyre.

“Fuqizimi i mëtejmë i shtetit ligjor në Republikën e Kosovës është i pashmangshëm dhe në këtë agjendë një kontribut të veçantë e mundësojnë të gjithë profesionistët e fushës së drejtësisë, që nga gjyqtarët, prokurorët, avokatët si dhe profesionistët e tjerë. Sot kam kënaqësi të njoftoj se Komisioni i propozuar për organizimin dhe mbajtjen e provimit të jurisprudencës, është miratuar nga ana e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për çfarë jam tejet falënderues” ka shkruar Tahiri.

Pas këtij lajmi, sipas Ministrit, tashmë në Ministrinë e Drejtësisë po punohet për organizimin sa më të shpejt të provimit.

“Që nga sot, ministria që drejtoj veçse ka filluar të marrë masa për organizimin sa më të shpejtë të provimit të jurisprudencës, në mënyrë që të gjithë qytetarët tanë dhe profesionistët e fushës, të kenë mundësi për të verifikuar dijen dhe për të marrë kredencialet e nevojshme për të ushtruar profesionin e tyre brenda sistemit të drejtësisë” ka përfunduar Tahiri .