13:52 / E Shtunë, 20 Tetor 2018 / indeksADMonline

Ky është numri i të prekurve nga kanceri i gjirit këtë vit në Kosovë, prej tyre dy meshkuj

Para Teatrit Kombëtar sot për pak kohë mbizotëroi ngjyra rozë.

Me moton “Zbulim i hershëm – mbijetesë”, u mbajt në Prishtinë për të njëmbëdhjetën herë me radhë ecja tradicionale kundër kancerit të gjirit, me qëllim ndërgjegjësimin e shoqërisë për rrezikun nga ky kancer.

Kryetari i shoqatës së onkologëve të Kosovës, Arben Bislimi ka treguar statistikat që kanë mbledhur nga vizitat e realizuara në 26 qendra të Kosovës.

“Në Kosovë këtë vit nga kanceri i gjirit janë prekur 247 persona, prej tyre dy janë meshkuj, çdo e teta grua është e rrezikuar, ajo mund të jetë nëna, motra, gruaja, personi më i dashur i yni. Sot po bashkë ndjejmë me këto heroina, një simbolikë e përkrahjes, një dashuri e ofruar, po e mbyll me thënien “fitimtari fiton luftën shumë më parë se të zbresë në fushëbetejë, sepse në fushën e betejës luftën kërkon ta fitojë humbësi, andaj ta zbulojmë me kohë që të dalim gjithmonë fitimtarë:, tha ai.

Kryeministri Ramush Haradinaj i cili ishte i pranishëm së bashku me bashkëshorten, bëri thirrje që të këtë rritje të përkrahjes dhe vetëdijes për këtë temë.

“Nuk ka njeri në glob, mos të them në vendin tonë po se po që nuk e kupton sa është me rëndësi diagnostikimi i hershëm. Nëse dojmë me ja shtruar vetes një pyetje, me e dhanë një përgjigje si mundemi me u mbrojt nga rreziku i kancerit të gjirit, dhe si mundemi me shpëtuar nga ky rrezik, veç një përgjigje është, ju siguroj veç një përgjigje, është diagnostikimi sa më i hershëm. Këtu ka me ne plot që e kanë mujt ketë sëmundje të keqe, të rrezikshme, të vështirë, po e kanë mujt sepse e kanë diagnostikuar me kohë. Qeveria e vendit e ka bërë një ndryshim në qasjen ndaj shëndetësisë, e dimë se nuk jemi as atje ku dëshirojmë të jemi, po as ku kemi mujt me qenë, sepse kemi vonesa në plot procese, por ju siguroj se do të jemi krah juve që të ndihmojmë edhe ne pra që identifikimi i hershëm dhe diagnostifikimi i hershëm të bëhet më i lehtë për secilën femër kosovare”, tha ai.

Ish-presidentja Atifete Jahjaga ka vlerësuar rëndësinë e këtij aktiviteti në shfaqjen e solidaritetit për të prekurit nga kjo sëmundje.

“Sëmundje e kancerit të gjirit, është një ndër sëmundjet më të vështira me të cilat ne përballemi, është një sëmundje e cila nuk diskriminon askënd dhe aspak, mund të prek këdo pavarësisht statusit shoqëror, gjinisë, moshës apo etnisë. Mirëpo ajo që kemi mësuar në dekadat e fundit falë përparimit të mjekësisë dhe të teknologjisë është se kanceri i gjirit mund të mposhtet dhe mund të luftohet. Për ta mposhtur këtë betejë ndaj tij ne duhet të punojmë dhe të investojmë çdo ditë. Ajo duhet të fillojë ashtu siç sugjeron edhe kjo ecje solidare se kanceri është sëmundje e cila kur zbulohet herët, ajo mund të luftohet dhe mund të shërohet”, tha ajo.

Ajo ka porositur për kontrolle të vazhdueshme mjekësore, duke thënë se zbulimi i hershëm është mundësi për jetë.

Nafije Latifi nga qendra kosovare e luftimit të kancerit të gjirit “Jeta Viti”, ka shpeguar më shumë rëndësinë e zbulimit të hershëm të kancerit të gjirit.

“Ne jemi edhe sot këtu për herë të njëmbëdhjetë në këtë manifestim tradicional, përkundër sfidave të shumta në nismën tonë në vitin 2006 e bënë realitet synimin që  informata për kancerin e gjirit të arrijë në çdo shtëpi, te çdo grua, me fletëpalosje, broshura me fjalën e gjallë, me informata të ekspertëve mjekësor, me punëtori në të gjitha komunat e komunës e Kosovës në mënyrë që të arrihet qëllimi ynë që sëmundja të zbulohet më herët, në fazat e para kur mbijetesa është më e gjatë e më cilësore, kur trajtimet janë më të lehta e më të pakëta, e kur shpenzimet janë më të vogla si për familje ashtu edhe për shoqërinë”, tha ajo.

Në mbarë botën tetori shënohet me aktivitete dhe kampanja për të ngirut vetëdijën rreth luftimit të tij.