19:37 / E Premte, 22 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Ky është qëndrimi i LDK-së për shfuqizimin e Speciales

Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka mbajtur konferencë të jashtëzakonshme.

Deklarata  e Grupit Parlamentar të LDK –së:

Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se vendi ynë nuk ndodhet në asnjë situatë të re e të parashikuar.

Hapat e nxituar mund të prodhojnë situata të reja që do të rrezikonin stabilitetin dhe do të dëmtonin subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.

Tendenca për të shfuqizuar Ligjin mbi Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar është tepër e rrezikshme dhe e fut vendin në aventura të paparashikueshme.

Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se të gjitha çështjet e, sidomos çështjet me rëndësi jetike për ekzistencën e vendit, duhet të trajtohen me maturi e pa nxitim.

Lidhja Demokratike e Kosovës e sheh si jetike për vendin tonë ruajtjen e raporteve dhe të miqësisë me SHBA-të, me vendet e BE-së, NATO-n dhe vendet e tjera mike.

Kosova është vendi dhe shteti ynë, që e kemi ndërtuar bashkë me miqtë tanë dhe së bashku do të ecim në rrugën e integrimeve euro-atlantike.

Lidhja Demokratike e Kosovës fton subjektet politike dhe institucionet e Republikës së Kosovës që të reflektojnë në përputhje me interesat e qytetarëve dhe të vendit.

Lidhja Demokratike e Kosovës, si subjekti që ka themeluar dhe ndërtuar shtetin e Kosovës, në asnjë rast nuk do të jetë pjesë e veprimeve të pamatura dhe nuk do të lejojë që fati i qytetarëve dhe i vendit tonë të futet në rrugë të paqarta./Indeksonline/