12:46 / E Mërkurë, 21 Shtator 2022 / shkelqim osmanaj

“Ky njeri duhet të shkojë në burg” – eskalon debati në komision, Jasharaj e lëshon mbledhjen

Rrahman Jasharaj, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, e ka lëshuar mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Arsim pas përplasjes me Dimal Bashën, deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Vetë kryetari i SBASHK-ut i thotë deputeti midis parlamentit: ‘mos ia jep fjalën’. Kjo tregon shumë për mentalitetin e operimit të tij”, tha deputeti Basha, duke akuzuar Jasharajn për kërkesën e tij që Basha të mos fliste në komision.

“Unë jam midis parlamentit, e jo në shtëpinë time. Dëgjom ta kryej fjalën”, tha Basha. “A është qeky kryetari i SBASHK-ut që ka kërkuar nga zyrat e PDK-së që me e rrëzu qeverinë diktatoriale”.

Basha tha se Ymeri Ymeri, sekretari i SBASHK-ut, do të duhej të shkonte në burg sot.

“E keni Ymer Ymerin këtu, qe ta citoj në dhjetor të vitit 2021: ‘Le të na rritë pagat 50 për qind, krejt ke me u ba me ta dhe kemi me ua dhanë votën’. Qeky është pazari që bahet… e për më tepër është vepër penal që si të del nga dera e kuvendit duhet me shku në burg”, tha Basha për Ymerin.