75 Mall Live Search
23:36 / E Martë, 27 Shkurt 2024 / MSH

Lajçak paralajmëron takime të tjera: Shumë pyetje për rregulloren e BQK-së mbeten pa përgjigje

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se bisedimet për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), që ndalon përdorimin e dinarit serb në Kosovë, ishin “një hap i parë i rëndësishëm”, por se “shumë pyetje politike” mbeten ende pa përgjigje.

Me ftesë të tij, përfaqësues të Kosovës dhe të Serbisë u takuan të martën në Bruksel.

“Takimet shtesë do të jenë të nevojshme”, tha Lajçak në një postim në platformën X.

Ai nuk sqaroi nëse palët kanë pasur ndonjë dakordim.

Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, i cili udhëhoqi delegacionin e Kosovës, tha se nuk u diskutua për rregulloren, porse për mundësitë që i ofron ajo për transferimin e mjeteve nga shtetet e tjera në Kosovë.

“Nuk ka asgjë tjetër dhe nuk kemi pranuar diskutime të tjera. Rregullorja është në fuqi dhe nuk ndryshohet. Zbatimi i saj nuk vihet në diskutim”, tha Ismaili për Radion Evropa e Lirë.