23:07 / E Mërkurë, 22 Gusht 2018 / indeksADMonline

Lajiq: Serbia pranon të gjitha opsionet me Kosovën, pos luftës dhe konfliktit

Nënkryetari i Qeverisë së Serbisë, Rasim Lajiq, ka vlerësuar se takimi i radhës mes kryetarit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe atij të Kosovës, Hashim Thaçi në Bruksel është vendimtar për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Sipas tij, pas këtij takimi do të jetë më e qartë se a do të zgjidhet çështja e Kosovës apo do të jetë vetëm edhe një përpjekje e dështuar për zgjidhje, shkruajnë mediat serbe, transmeton Indeksonline.

Lajiq ka thënë se Thaçi është në pozitë më të vështirë se sa Vuçiqi sepse, sipas tij, në Kosovë janë kundër zgjidhjes së çështjes së Kosovës.

“Opozita në Kosovë po shfrytëzon retorikë të ngjashme me pjesën e madhe të opinionit në Serbi, sepse po thonë se iu përgjigjet konflikti i ngrirë, që gjatë 20-30 vjetëve të mos bisedojnë sepse koha punon për ta, ndërsa është në interes të Serbisë që të bisedohet”, ka thënë Lajiq, duke shprehur optimizëm se çështja e Kosovës do të përfundoj shpejt.

Ai ka vlerësuar se tek opinioni i Kosovës mbretëron bindja se Serbia me bisedime mund të fitojë më shumë se sa që ka tash dhe se Kosova është ajo që duhet të bëjë lëshime në mënyrë që të arrihet zgjidhja.

Lajiq ka theksuar se të gjithë në Qeveri janë të pajtimit se çështja e Kosovës duhet të zgjidhet dhe se të gjitha opsionet janë legjitime, pos luftës dhe pranimit të konfliktit të ngrirë.