Lajmërohet Bedri Hamza: Çdo votë e qytetarëve të ruhet dhe të mbrohet deri në fund
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka falënderuar qytetarët e Kosovës për pjesëmarrjen në procesin zgjedhor, duke vlerësuar qetësinë, përgjegjësinë dhe kulturën demokratike të treguar gjatë votimit.
Në një reagim pas përfundimit të procesit zgjedhor, Hamza tha se qytetarët dëshmuan besimin e tyre në fuqinë e votës dhe në të drejtën për të vendosur për të ardhmen e vendit.
Ai shprehu mirënjohje për të gjithë pjesëmarrësit në proces, përfshirë institucionet, komisionerët, vëzhguesit, mediat dhe forcat e rendit, për angazhimin e tyre në mbarëvajtjen e zgjedhjeve.
Hamza theksoi se tashmë është thelbësore që çdo votë të numërohet me kujdes dhe të respektohet plotësisht vullneti i qytetarëve.
“Demokracia nuk përfundon me hedhjen e votës në kuti, por vazhdon edhe me respektimin e saj. Le të kujdesemi së bashku që çdo votë e qytetarëve të ruhet dhe të mbrohet deri në fund”, ka deklaruar ai.
Në fund të mesazhit të tij, Hamza falënderoi qytetarët me fjalët: “Faleminderit Kosovë!”.

