15:08 / E Mërkurë, 17 Prill 2024 / L K

Lajmërohet nga pika kufitare me Serbi kompania e bllokuar me kosovarë: Po intervistohen qytetarët, po pyeten edhe për luftën

Ka mbi 15 orë që kosovarët që ishin duke u kthyer në Kosovë me autobusë që kanë mbetur të bllokuar në kufirin Kroaci-Serbi.

Kjo si pasojë e autoriteteve serbe që nuk po lejojnë autobusët të kalojnë, siç thonë policët kufitar serb “pa u verifikuar të gjithë”, transmeton IndeksOnline.

Qytetarët tashmë kanë filluar të revoltohen pasi gjendja e tyre shëndetësore shkon duke u ngarkuar prej pritjeve të gjata.

Gazmend Zhitia nga kompania e bllokuar në kufi ka folur për IndeksOnline kështu duke dhënë detajet e fundit për situatën e krijuar atje.

Zhitia tha se po vazhdojnë të qëndrojnë pa ndonjë arsye dhe maltretim komplet.

Ndërsa, ka shtuar se një 18-vjeçare e kanë intervistuar dhe i kanë thënë të tregojë për periudhën e luftës, “Si munde një 18-vjeçarë të jetë pjesë e luftës”, ka thënë mes tjerash Zhitia.

Ai tha se udhëheqësit kufitar i kanë thënë që ju një pjesë mundët me vazhdu por disa prej të intervistuarit të qëndrojnë këtu.

“Me thënë të drejtën situata është si më së keqi, duke pritur njerëzit pa kurgjo hiq, pa asnjë arsyetim të vetëm. Një 18-vjeçarë e merr e interviston dhe i thotë tregom për periudhën e luftë. Qeso maltretime, kurgjo hiq.

Diku 261 udhëtarë janë komplet të firmës tonë, tash ka fillu edhe ushqimi me mbaru, por, po mundohemi përmes disa pompave të benzinës të furnizohemi.

Këtë pyetje e kemi bërë shumë herë, unë vet personalisht udhëheqësve të ndërrimit aty, ata thonë se “deri sa të na vjen urdhri prej Beogradit”, por, kur vjen ai urdhër një Zot e din..”,ka thënë Zhitia./IndeksOnline/