09:31 / E Martë, 07 Korrik 2020 / indeksADMonline

Lajmi i fundit: Një i vdekur, e dy të plagosur në Bardhaniq të Gjakovës

Një tragjedi ka ndodhur orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Bardhaniq të Gjakovës.

Një shtetas i Shqipërisë dyshohet se e ka vrarë duke e therur me thikë burrin e kushërirës së tij. Ndërkaq, janë sulmuar me thikë dhe kanë mbetur të lënduar edhe gruaja dhe djali i viktimës.

Rastin e ka konfirmuar për medie zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Nusret Gjurkaj, ndërsa detaje për tragjedinë ka dhënë drejtori i Policisë Rajonale të Gjakovës, Lumni Graishta.

“Rreth orës 03:00 të 07.07.2020 Policia në Gjakovë është informuar për një rast vrasje në fshatin Bardhaniq. Të gjitha njësitet relevante si njësitet patrulluese, hetuesia, forenzika, prokurori i shtetit dhe ekipi mjekësor i janë përgjigj vendit të ngjarjes. Mjeku ka konstatuar vdekjen e viktimës ndërsa dy personave të tjerë u është dhënë ndihma e nevojshme mjekësore”, deklaroi Graishta.

Ai tha se sipas informatava të para, i dyshuari I.V., shtetas i Shqipërisë, e ka sulmuar me thikë mikun e tij, gruan dhe djalin e viktimës, e më pas është arratisur.

“Sipas informatave të para, i dyshuari V.I. mashkull, shtetas i Republikës së Shqipërisë ka sulmuar me thikë mikun e tij (viktimën), gruan dhe djalin e tij, pas të cilit akt i dyshuari është arratisur”, ka thënë Graishta.
Por, policia ka arritur ta gjente të dyshuarin.

“Të dhënat e personit të dyshuar u janë përcjell të gjitha njësiteve policore dhe rreth orës 07:00 ai është arrestuar nga pjesëtarët e Stacionit policor të Deçanit. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, i dyshuari është ndaluar 48 orë”, ka thënë Graishta.

Graishta bëri të ditur se djali i viktimës është dërguar në Qendrën Klinike Universitare për trajtim mjekësor, pasi gjendja e tij shëndetësore është më e rëndë.

“I lënduari tjetër (djali i viktimës) për shkak të plagëve të rënda është dërguar në QKUK për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor. Në bashkëpunim me prokurorin e shtetit, vepra është cilësuar si ”Vrasje e rëndë”, ekzaminimi i vendit të ngjarjes po vazhdon ende, kurse hetimet janë duke u zhvilluar nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Gjakovë në mbikëqyrje të afërt të prokurorit të shtetit”, ka deklaruar Graishta.