16:56 / E Mërkurë, 04 Shtator 2019 / indeksADMonline

Lamborghini zbulon modelin e ri me 819 kuajfuqi

Shpejtësia e saj i kalon 350 km në orë; shkon nga zero në 100 në më pak se 2,8 sekonda.

Duke nisur që nga dizajni, vetura e re hibride e Lamborghinit me 819 kuaj fuqi duket se do të jetë një kënaqësi e vërtetë për syrin.

Lamborghini Sian reflekton dëshirën për të kombinuar një dizajn vizionar dhe zgjidhjet e jashtëzakonshme aerodinamike; një veturë super sportive, e konceptuar për një epokë të re por me zemrën dhe shpirtin e një Lamborghini të gatshme të sfidojë limitet.

Silueta e saj ka disa veçori si deflektorët karakteristikë, tek dyert mund te dallosh formën unike “Y” , ndërsa në tërësi dizajni i jashtëm mund të konsiderohet një deklaratë e efikasitetit aerodinamik.

Lamborghini Sian do të realizohet në një seri të limituar prej 63 ekzemplarësh, të gjithë të personalizuar për secilin pronar.

Ideja është që të krijohen vetura unike ekskluzive. Secila do të kushtojë $3.6 milionë. Automjeti i ekspozuar në sallonin e Frankfurtit ka një ngjyrë “floriri elektrik”, është lyer me një shtresë boje që përmban copëza e kristale në ngjyrë të artë, për ta shumëfishuar kështu efektin vizual.