17:19 / E Enjte, 12 Tetor 2017 / indeksADMonline

“Lartësimi i kriminelëve të luftës tregon se Serbia kurrë s’është penduar”

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj është shprehur i shqetësuar nga mungesa e reagimit të komunitetit ndërkombëtar ndaj lartësimit të kriminelëve të luftës nga ana e liderëve shtetërorë të Serbisë.

Në një postim në Twitter, Hoxhaj thotë se duke i mbrojtur kriminelët e luftës dhe duke i ikur fajësisë për krimet e kryera, Serbia po provokon tensione që e dëmtojnë pajtimin shoqëror në Ballkan.

“I shqetësuar nga lartësimi dhe rehabilitimi në rritje i kriminelëve të luftës nga qeveria e Serbisë dhe mungesa e reagimit/dënimit nga komuniteti ndërkombëtar. Duke mbrojtur kriminelët e luftës dhe duke i ikur fajësisë për krimet e kryera, Serbia po provokon direkt tensione që do t’i kushtojnë pajtimit në Ballkan”, ka shkruar Hoxhaj.

Reagimi i Hoxhajt vjen pasi që ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vulin ka lavdëruar ish-gjeneralin, Vlladimir Llazareviq, i cili është i dënuar me 14 vjet burg nga Tribunali i Hagës për Krime të Luftës në Kosovë, për mizoritë e kryera nga trupat serbe në Kosovë, gjatë goditjes kundër shqiptarëve në vitin 1999.

Ndaj këtij veprimi ka reaguar vetëm ambasadori amerikan në Beograd, të cilin pastaj e ka kundërshtuar ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, duke i thënë të mos përzihet në punët e brendshme të Serbisë.

Vulin, i cili ka qenë edhe pjesë e kabinetit qeveritar të qeverisë së Millosheviqt gjatë luftës në Kosovë, së bashku me presidentin e tanishëm të Serbisë, Vuçiq, si dhe kryediplomatin Daçiq, është i njohur për veprime të tilla. Vetëm disa muaj më parë, ai ka vendosur kurora lulesh tek ëermendorja e Millosheviqit në Serbi.

Vulin e ka quajtur gjeneralin Llazareviq “njeri i nderuar dhe trim dhe nuk ka ushtri në botë, që do të hiqte dorë nga ai”. /Telegrafi/