16:55 / E Shtunë, 14 Tetor 2017 / indeksADMonline

LDK beson ende në “votën popullore”

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa dhe kandidati i kësaj partie për kryetar të komunës së Istogut, Haki Rugova, janë shprehur të bindur të shtunën gjatë një tubimi madhështor parazgjedhor se, jo vetëm në Istog, por në tërë Kosovën, LDK-ja do të dalë fituese e votës popullore të qytetarëve dhe partia që do të udhëheqë me më së shumti komuna.

Duke folur para të pranishmëve të mbledhur në sheshin e Istogut, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka shprehur bindjen e tij se Haki Rugova do të rizgjedhet kryetar i Istogut pa balotazh, kurse Istogu i Ibrahim Rugovës dhe burimi i filozofisë së LDK-së do të jetë prijës i fitores së madhe të LDK-së në këto zgjedhje.

“Jemi të parët dhe do ta dalim të parët me votë popullore dhe të parët me numrin e komunave që do të qeverisim në mandatin e ardhshëm. Komuna e Istogut do të vazhdojë të qeveriset nga Haki Rugova dhe LDK-ja edhe në disa mandate tjera. Sepse ne realizojmë programet tona dhe punojmë me përgjegjësi”, ka thënë Mustafa.

Kandidati i LDK-së për kryetar të Istogut, Haki Rugova, ndërkaq ka kërkuar dalje masive të qytetarëve të Istogut në zgjedhjet e 22 tetorit dhe zmbrapsje të atyre që ai ka thënë se nëpërmjet mashtrimeve po duan të zaptojnë Istogun.

“Mbështetja e madhe për LDK-në që po shoh këto ditë, sidomos e të rinjve, më bën të jem i bindur se Istogu nuk do të ketë nevojë për balotazh. Ne do të fitojmë me të parën”, ka thënë Rugova./AktivPress