LDK prezanton zëdhënësin e ri edhe me konferencë
Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot një konferencë për media, vetëm për ta prezantuar zëdhënësin e ri të cilin e kanë emëruar dje.
Për emërimin e tij në këtë pozitë LDK ka njoftuar edhe nëpërmjet një komunikate për media, ndërsa sot sekretari Ismet Beqiri ka folur në superlativ për Besian Mustafën.
“Qëllimi i kësaj konference është njoftimi me zëdhënësin e ri të mediave, të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa i cili njëherësh është edhe djali i ish këshilltarit të Ibrahim Rugovës, Xhemajl Mustafës. Besiani është një djalë i ri i edukuar dhe i përgatitur jo vetëm për këtë detyrë që do e marr në LDK por edhe për veprimtari tjera sepse ka nivel shkencor dhe do jetë një vazhdimësi e punës së shkëlqyer. Është i diplomuar, ka qenë kryeshef i KIESAS, etj”, tha sekretari i LDK-së Ismet Beqiri.
Besian Mustafa tha se qëllimi i kësaj konference është që të njihet nga afër me gazetarët që përcjellin aktivitetet e LDK-së.
“Si çdo parti tjetër edhe LDK-ja do ketë një platformë komunikimi të drejtpërdrejt. Dhe e pres që të kemi komunikimin të vazhdueshëm”, tha Mustafa.