23:00 / E Premte, 25 Tetor 2019 / indeksADMonline

Leicester shkatërron Southamptonin, i shënon nëntë gola

Leicester City ka bërë befasinë në përballjen kundër Southampton, duke demoluar nikoqirët.

Xhiroja e 10-të e Premierligës ka nisur me një rezultat befasues, me fitoren 0:9 të Leicester kundër Southampton.

Rezultati i këtij takimi u zhbllokua qysh në minutën e 10’, kur Ben Chilwell dërgoi topin në rrjetë.

Vetëm dy minuta më vonë, Ryan Bertrand la skuadrën e Southampton me 10 lojtarë, për t’i koklavitur punët.

Leicester shënoi edhe dy herë të tjera në minutat 17’ dhe 19’, me anë të Tielemans e Perez, për të shkuar në 0:3.

Tmerri për Southampton nuk u ndal këtu, pasi ‘Dhelprat’ shënuan edhe dy herë në pjesën e parë, me Perez e Vardy, për të shkuar në pushim me rezultatin 0:5.

Pjesa e dytë tregoi një gol më pak, me Leicester që nuk ndalej, duke gjetur rrugën e golit edhe katër herë, me anë të Perez (57 – het trik), Vardy (58’), Maddison (85’) dhe Vardy (90+3′ – het trik).

Me këtë fitore, Leicester ngritet përkohësisht në pozitën e dytë, me 20 pikë pas 10 ndeshjeve, kurse Southampton mbetet në kuotën e tetë pikëve, në zonën e rrezikshme.