17:56 / E Diele, 15 Gusht 2021 / C E

Leipzig zhgënjen në start, humbje minimale ndaj Mainz

Aventura e amerikanit Jesse Marsch në Bundesligën gjermane nuk ka nisur me këmbën e duhur, pasi klubi i Leipzig u mposht në mënyrë surprizë me rezultatin minimal 1-0 në transfertën ndaj Mainzit në “Mewa Arena”.

Leipzig e nis këtë sezon pa trajnerin Nagelsmann në pankinë, i cili u largua drejt Bayernit, por edhe pa dy qendërmbrojtësit, Upamecano dhe Konate, megjithatë ishte skuadra favorite për të triumfuar në sfidën e parë të kampionatit, ndaj Mainz.

Pjesa e parë dhuroi emocione të pakta, me Leipzigun që pati epërsi në kontrollin e topit dhe Mainzin, që rreshtohej mirë mbrapa për të mbyllur hapësirat dhe mbajtur rrezikun larg portës.

Goli i vetëm i takimit u shënua në minutën e 13’, kur pas një gabimi të rëndë në mbrojtje nga ana e lojtarëve të Leipzig, ishte mbrojtësi i majtë i Mainz, Moussa Niakhate ai që përfitoi dhe dërgoi topin në rrjetë.

Edhe pjesa e dytë u zhvillua nën dominimin e Leipzigut, që iu afrua golit të barazimit në minutën e 59’ me anë të Amadou Haidara, por gjuajtja e tij u prit saktë nga portieri i Mainz, Zentner.

Në minutat 76 dhe 86 kërcënuan edhe Nordi Mukiele e Willi Orban për Leipzig, megjithatë tentativat e dy sulmuesve përfunduan jashtë kuadratit, duke bërë që rezultati të mbetej i pandryshuar dhe Mainzi të merrte tre pikët në ndeshjen e parë të kampionatit.

Nga ana tjetër miqtë nga Leipzig duhet të lënë menjëherë pas krahëve këtë humbje dhe të reagojnë për t’u rikthyer te suksesi, pasi pritshmëritë për ta këtë sezon janë edhe më të larta se një vit më parë.