Lekaj: MPB-ja nuk na ka dhënë akoma dëshmi për shkelje në rastin e gylenistëve
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ka thënë se Kosova ka një marrëveshje bileterale me Turqinë sa i përket fluturimeve, të nënshkruar para disa vitesh.
Gjatë raportimit të tij, Lekaj ka thënë se nuk ka pasur asnjë informacion apo paralajmërim për depërtimin e gjashtë shtetasve turq, raporton Indeksonline.
Më poshtë pjesë nga raportimi i Lekajt:
MPB është përgjegjëse për aviacionin dhe rrezikun nga terrorizmi. Mund të them se si ministër pos asaj që e thash nuk kemi asnjë informacion, dijeni dhe nuk kemi të bëjmë sa i përket sigurimit, e kush është në avion janë çështje të ndara. Ne kemi punuar sipas rregullores.
Ne jemi përgjegjës vetëm a i përmbush kriteret, dhe asnjë përgjegjësi për sigurinë, nuk kemi ndonjë leje apo veprim të mëtutjeshëm.
Në bazë të gjeturave kemi parë se gjithcka është bazuar në ligj dhe rregulloren përkatëse.
Departamenti në fjalë ka vepruar drejtë dhe i ka përmbushur kriteret e duhura.
Kompania ka keqpërdor fluturimin dhe në bazë të ligjit do të veprojmë si duhet .
Kërkesa ka qenë për fluturim privat, jo shtetëror, sepse janë procedura tjera varësisht fluturimit që dëshiron të bëni.
Asnjë departament, asnjë zyrtar shtetëror e them me përgjegjësi nuk më ka kontaktuar dhe nuk kemi qenë në dijeni nga veprimet e mëtutjeshme.
Nuk e kam pas asnjë kontakt, as për këtë e as për leje tjera, sepse janë gjëra sezonale.
Është rutinë nëse dikush ndryshon datën e fluturimit, por vetëm duhet të bëhet 24 orë përpara.
Ne duhet të bazohemi jo në ato që kemi parë, sepse çdo qytetarë e ka parë keqpërdorimin, por duhet të kemi shënime të sakta nga MPB-ja e ne nuk i kemi ende, që duhet t’i marrim për keqpërdorim të vijës ajrore.
Ne e dimë se e ka keqpërdor, por kur të marrim veprime për të dënuar, duhet pasur dëshmi nga MPB-ja se në këtë ditë është keqpërdor kjo kompani dhe ka depërtuar qytetarë pa dijeninë e ministrisë përkatëse dhe departamenteve përkatëse.
Më 25 prill kemi kërkuar zyrtarisht dëshmi për keqpërdorim, apo informata të bollshme që të ndërmarrim veprime të mëtutjeshme.
Nuk kemi raport, e nëse kemi informacione nga departamenti në fjalë që dikush ka shkel procedurat dhe ka thyer rregullat, do të reagojmë.
Hapësirën VIP e menaxhon policia kufitare, sepse edhe unë vet si ministër duhet të bëj kërkese për të shfrytëzuar atë hapësirë kur dua të kaloj andej. Prandaj, ne nuk kemi kompetencë në atë hapësirë.
Është përgjegjësi e aeroportit kur e cakton kur bëhen fluturimet, nga bëhen etj. I takon kompanisë menaxhuese kjo çështje.
Nuk kemi pas bazë për të dyshuar sepse ka qenë fluturim biznesor, privat. Unë as nuk jam kontaktuar e as informuar se diçka po zihet.
Nga 25 prilli nuk na ka ardh asnjë përgjigje për këtë rast nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Ne nuk kemi dokument bazë që mund të dëshmojmë se është keqpërdor nga kompania. Atë dëshmi mund të na ofroj vetëm MPB-ja, e nuk po kemi përgjigje. Nuk mund të fillojmë një procedurë derisa të mos kemi dëshmi në duar. /Indeksonline/
………………………………….
Nis intervistimi i Pal Lekajt për dëbimin e gjashtë gylenistëve
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ka nisur tashmë raportimin e tij para Komisionit Hetimor Parlamentar për dëbimin e gjashtë shtetasve turq më datë 29 mars 2018.
Në këtë komision do të intervistohen pos Lekajt edhe ish-UD Drejtorit të Departamentit të Aviacionit Civil, Ismail Berisha, Drejtori i Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror Bahri Nuredini dhe Inspektorin e Përgjithshëm të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Shkelzen Sopjani. /Indeksonline/