15:17 / E Premte, 30 Mars 2018 / indeksADMonline

Lekaj nënshkruan marrëveshje për asfaltimin e rrugëve të Klinës në vlerë prej 4 milionë euro

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj dhe Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, kanë nënshkruar sot në Klinë, memorandum mirëkuptimi për asfaltimin e 5 rrugëve në Komunën e Klinës, vlera e të cilave është 4 milionë euro.

Bëhet fjalë për asfaltimin e rrugës në fshatin Poterq- 400 mijë euro, rrugës në Krushevë të Madhe- 500 mijë euro, rrugës Sferkë-Perqevë- 500 mijë euro, rrugës Qupevë-Ujmirë- 900 mijë euro dhe asfaltimi i rrugës Stupë- Videjë-Zajm që kap vlerën 1.5 milionë euro. Gjithashtu, do të bëhet edhe asfaltimi i rrugës Klinë-Gurrakoc i Istogut në vlerë 300 mijë euro.

Kryetari Elezaj, ka falënderuar ministrin Lekaj për mbështetjen në realizimin e këtyre projekteve shumë të nevojshme për komunitetin dhe ka kërkuar që të shikohet mundësia që edhe në rishikim buxhetor të ndahen mjete për realizimin e projekteve tjera që janë të nevojshme për qytetarët që të krijojmë lehtësi në lëvizje.

Elezaj, përmendi edhe asfaltimin e rrugës unazore nga aksi rrugor Klinë – Skenderaj, që lidhet me kryqëzimin e rrugës Klinë-Pejë-Gjakovë në fshatin Gremnikë, që do të zbrazte qytetin nga lëvizjet e automjeteve. “ Ne i kemi nisur përgatitjet e nevojshme për këto projekte dhe në afatin sa me të shkurtër do të nisin procedurat për këto rrugë”, ka thënë Elezaj sipas të cilit bashkë me Ministrinë e Infrastrukturës do të realizojmë edhe projekte tjera.

Ministri, Pal Lekaj, që në Klinë ishte bashkë me zëvendësministrin, Rexhep Kadriu e shefin e Kabinetit, Argjent Zejnaj, i ka thënë kryetarit Elezaj, nënkryetarit Besim Hoti dhe drejtorëve Lorenc Marleku e Aziz Desku, se MI-ja do të mbështes gjitha projektet e Klinës dhe sot jam këtu për të nënshkruar memorandum mirëkuptimi, që ka të bëjë me asfaltimin e 5 rrugëve, të cilat kanë impakt pozitiv për qytetarët. Ai premtoi mbështetje edhe në realizimin e projekteve tjera pas rishikimit buxhetor. “Në vitin 2019 do të realizojmë gjitha projektet që kemi premtuar. Do të jemi mbështetës të fortë të Komunës së Klinës aty ku përfitojnë qytetarët. Për Komunën e Klinës, MI-ja përmes këtyre memorandumeve ia dedikon rreth 4 milionë euro, përmes të cilave do të tentojmë të rregullojmë infrastrukturën, e cila bën lidhjen e rrethinës me qytetin e Klinës”, ka thënë Ministri Lekaj.