09:11 / E Shtunë, 14 Tetor 2017 / indeksADMonline

Lëkundjet e presidentit Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë javës u shfaq me një diskurs të ashpër ndaj bashkësisë ndërkombëtare për kushtet e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Duke mos u mjaftuar me deklaratat për Gjykatën Specialen të cilën e quajti një imponim të ndërkombëtarëve, ai shfaqi edhe një ide si kundërpërgjigje për mosliberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Kreu i shtetit kosovar i kërkoi Shqipërisë një nder për të ndihmuar qytetarët për siç tha ai të lëvizin lirshëm.

Homologut të tij shqiptar, Ilir Metës, i kërkoi që qytetarëve të Kosovës t’ua mundësojë pajisjen me pasaporta të Republikës së Shqipërisë.

Kjo kërkesë e presidentit për profesorin universitar Rrahman Paçarizi nuk është një opsion real.

Ai ka deklaruar për AktivPress se kërkesa në fjalë e presidentit është një formë presioni ndaj Bashkimit Evropian.

“Kërkesa e presidentit të Kosovës z. Hashim Thaçi drejtuar homologut të nga Shqipëria nuk është një opsion real, por më shumë një formë e presionit ndaj Bashkimit Evropian për shkak të izolimit të Kosovës përmes vënies së kushteve unike për liberalizim”, tha ai.

E tërë këtë reagim, sipas Paçarizit, presidenti Thaçi e ka zhvilluar nën inercionin e deklaratave të ashpra të një dite më parë.

“Strategji të tilla të komunikimit janë të njohura në komunikimin politik. Dy vjet më parë një “kërcënim” të tillë e pati lansuar kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, duke e nxjerrë opsionin e bashkimit Kosovë-Shqipëri nëse Kosova vazhdon të mbahet e izoluar”, theksoi ai.

Njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë shtoi se  diskursi i tillë i presidentit mund të prodhojë efekte.

“Një strategji dhe diskurs i tillë mund të prodhojë efekte por janë sallto mortale, rezultati i të cilave është i paparashikueshëm”, përfundoi Paçarizi.

Presidenti i Kosovës është ankuar se partnerët ndërkombëtar nuk po qëndrojnë  pas zotimeve për t’i hapur rrugë krijimit të Ushtrisë së Kosovës dhe për t’ua mundësuar qytetarëve të këtij vendi që të lëvizin lirshëm.

Mirëpo, Avni Mazreku, profesor i të Drejtës Evropiane, thotë se edhe në qoftë se në mënyrë hipotetike pretendohet se Kosovës i janë dhënë premtimet, për të cilat flet presidenti Thaçi, realizimi i tyre është problematik.

“Nuk mendoj se është artikulim i drejtë ky, i thënë në këtë formë, kur dihet se si merret vendimi për procesin e liberalizimit të vizave. Nuk e di që është e mundur që 28 shtete dhe 28 përfaqësues që janë të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, mund ta artikulojnë një qëndrim të tillë. Për më tepër, dihet që Kosovën, 5 nga këto 28 shtete, ende nuk e kanë njohur. Po flasim për situatë hipotetike për një premtim të tillë. Nuk mendoj që është bërë, por as nuk është e mundur që të realizohet”, ka thënë ai për REL.

Pas reagimeve të ambasadës së SHBA-së dhe asaj britanike në lidhje me qëndrimet e tyre të mëhershme dhe të tashme të tyre përkitazi me nevojën për krijimin e  Gjykatës Speciale, me anë të të cilave kanë mohuar se kanë premtuar diçka si kundërvlerë për krijimin e një gjykate të tillë, është shfaqur sërish presidenti.

Me anë të një shkrimi, ai ka thënë të jetë keqkuptuar sepse nuk është kundër krijimit të Gjykatës Speciale e as nuk është për acarim të raporteve me partnerët ndërkombëtar./Emirjeta Vllahiu/AktivPress