09:49 / E Shtunë, 09 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Levante pa portier ndaj Bilbaos, ka për të punuar komisioner në zgjedhje

Levante konsiderohet si një ndër klubet më në formë të kampionatit spanjoll, pasi ekipi valencian ka mundur në dy ndeshjet e fundit pikërisht 2 nga 3 skuadrat kryesuese në Primera Division si Barcelona dhe Real Sociedad, megjithatë “granotas” për momentin janë në krizë të theksuar përsa i përket portierëve, deri në atë pikë sa ditën e dielë në orën 14 në duelin me Athletic Bilbaon në San Mames ekziston mundësia që mes shtyllave të pozicionohet pikërisht portieri i ekipit tjetër Levante B, që aktualisht luan në nivelin e tretë për nga rëndësia, të futbollit profesionist të këtij vendi.

Një problem i tillë ka lindur për arsye të angazhimit të portierit titullar Aitor Fernandez me zgjedhjet e përgjithshme të vendit iberik, që do të mbahen pikërisht më datë 10 nëntor. Teksa skuadra e Levantes do të udhëtojë drejt veriut të vendit, 28-vjeçari bask do të jetë i impenjuar gjatë gjithë fundjavës në qendrën e tij të votimit. Aitor Fernandez është ndër njerëzit e përzgjedhur të njërës prej qëndrave të votimit dhe ditën e dielë në vend që të veshë dorezat gardiani i Levantes do të duhet të mendojë vetëm për fletët e votimit dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme në zonën e tij. Një skenar i tillë e ka lënë fare pa mundësi zgjedhjeje trajnerin Paco Lopez, duke patur parasysh që portieri rezervë i skuadrës Oier Olazabal nuk mund të luajë për arsye dëmtimi. As bën të ditur se avokatët e klubit të Levantes po punojnë fort për të çliruar portierin Aitor Fernandez nga një detyrim i tillë, sidoqoftë për momentin askush në ekip nuk e ka të qartë nëse 28-vjeçari nga Arrasate do t’i bashkohet grupit të futbollistëve që do të udhëtojnë me autobusin e skuadrës drejt Bilbaos, apo do të qëndrojë në Bregun Lindor të vendit.

Fernandez që vite më parë ka qenë gjithashtu pjesë e skuadrave të ndryshme të moshave të Spanjës, është aktivizuar si titullar në të 12 ndeshjet e zhvilluara deri tani nga skuadra valenciane, ku natyrisht përfshihet edhe suksesi i jashtëzakonshëm i fundjavës së kaluar, 3-1 ndaj kampionëve në fuqi të Barcelonës. Nëse Aitor Fernandez do të qëndrojë në shtëpi për të respektuar detyrimet si anëtar i komisionit në qendrën e tij të votimit atëherë në mënyrë të kuptueshme trajneri Paco Lopez do të jetë i shtrënguar për t’i dhënë çelësat e portës 22-vjecarit Dani Cardenas. Nëse do të ndodhë vërtet atëherë për portierin katalanas do të bëhej fjalë për debutimin në Primera Division, pasi deri tani 22-vjeçari nga Terrassa është aktivizuar në shtatë takime për skuadrën e dytë të Levantes, që bën pjesë në Segunda Division B. Për momentin ekipi i Levantes klasifikohet në vendin e 11 në tabelën e renditjes, por gjithsesi vetëm 3 pikë larg zonës europiane.