14:31 / E Martë, 02 Mars 2021 / Blerim

Leverkuseni do të tentojë sërish transferimin e Rashicës

Milot Rashica ishte shumë afër transferimit te Bayer Leverkuseni në tetorin e vitit të kaluar, shkruan mediumi zviceran “Nau.ch”.

Marrëveshja ishte shumë afër që të bëhej, por dështoi. Sidoqoftë, pritet që në afatin kalimtar të verës së ardhshme, Werderi dhe Leverkuseni të tentojnë të dakordohen për marrëveshje rreth yllit kosovar.

Në dy afatet e fundit kalimtare, te Werder Bremeni lojtari më i përfolur për një largim të mundshëm ishte 24-vjeçari që njëherësh është edhe lojtari më i vlefshëm ne klub.

Numri shtatë i Përfaqësueses së Kosovës tha se është i fokusuar vetëm te Werder Bremeni.

“Jam i fokusuar te paraqitjet e mia te Werder Bremeni. Unë i kam borxh këtij klubi dhe duhet që t’i bëj paraqitjet sikurse sezonin e kaluar”, ka deklaruar Milot Rashica.

Në këtë sezon Rashica ka shënuar tre gola në 13-të paraqitje në të gjitha garat.

Kontrata e tij i skadon në vitin 2022 dhe ka gjasa për ndërrim ambienti në verën e ardhshme.

Miloti në janar të vitit 2018 iu bashkua Bremenit nga Vittese Arnheim për shtatë milionë euro.