10:10 / E Enjte, 29 Shtator 2022 / AR

Liberalizimi i vizave, deputeti i VV-së thotë se është meritë e Qeverisë Kurti: Po luftohet krimi e korrupsioni!

Më 13 tetor, Kosova mund të marrë lajmin e shumëpritur, atë të liberalizimit të vizave.

Anëtari i Komisionit për Integrim Evropian nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni për Indeksonline thotë se, që nga marrja e mandatit Qeveria Kurti është anagazhuar në përmbushjen e obligimeve që dalin nga proceset integruese të vendit drejt BE-së.

Sipas Hysenit, lufta e pakompromis e Qeverisë Kurti kundrejt krimit të organizuar dhe korrupsionit “e siguron faktorin ndërkombëtar jashtëzakonisht shumë në marrjen e vendimit për liberalizimin e vizave”.

“Reformat e nisura në sistemin e drejtësisë e sidomos hapat në pavarësimin e gjyqësorit nga ndikimet politike, gjë që është paraqitur edhe në raportet e Bashkimit Evropian për vendin vit pas viti.

Ajo që e siguron faktorin ndërkombëtar jashtëzakonisht shumë në marrjen e vendimit për liberalizimin e vizave është lufta e pakompromis e Qeverisë Kurti kundrejt krimit të organizuar dhe korrupsionit, në veçanti shtrirja e kësaj lufte edhe në veri të vendit, pjesë kjo e dominuar për shumë vite nga grupe kriminale”, u shpreh ai.

Tutje, Hyseni thekson se kushdo që ka kontribuar në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave meriton respekt dhe uron që si proces ta kemi të finalizuar sa më shpejtë./Indeksonline/