18:41 / E Mërkurë, 27 Qershor 2018 / indeksADMonline

Liberia më e afërt se kurrë me Kosovën, së shpejti hap ambasadë në Prishtinë

Ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli u takua sot me presidentin e Liberisë, George Weah. Takimi erdhi pas raportimeve të shumta në Serbi se Liberia tërhoqi njohjen ndaj Kosovës.

Në një postim në Facebook, Pacolli tregoi se në Liberi iu rikonfirmuan raportet miqësore me Kosovën, ndërsa shteti afrikan do të hapë ambasadë në Prishtinë.

Vetëm pak ditë pasi diplomacia serbe po jepnin lajmin, që doli të jetë i rrejshëm, se Liberia ia ka tërhequr njohjen Kosovës, Pacolli fluturoi për në shtetin afrikan.

Pacolli u takua me presidentin Weah, me të cilin pak ditë më parë presidenti serb, Aleksander Vuciq njoftoi se kishte pasur një bisedë telefonike.

Vuçiq tha se e falënderoi Weahn për qëndrimin kundër Kosovës, ndërsa krejt tjetër gjë thotë Pacolli.

Ky është postimi Pacolli:

Takimi me presidentin e Liberisë z.George Weah, ishte vërtetë i përzemërt dhe në frymën e miqësisë dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet të dyja vendeve.

Ndër të tjera, me presidentin Weah u dakorduam për hapjen e ambasadës së Liberisë në Prishtinë ndërsa, bashkëpunimin tonë ndërshtetëror do ta ngrisim në nivelin më të lartë.

Presidenti Weah theksoi qartë se Liberia si njëri ndër shtetet e para që e ka njohur Kosovën do të jetë fuqishëm në mbështetje të anëtarësimit të vendit tonë në organizata të rëndësishme botërore.

Weah, i cili ka qenë dikur edhe fitues i Topit të artë të Evropës sa ka qenë lojtar i Milanit, u shpreh i gatshëm që bashkë me ekipin kombëtar të Liberisë të zhvillojë një ndeshje miqësore me përfaqësuesen e Kosovës në futboll.

Presidenti Weah i cili është edhe mik i vjetër i imi, pranoi me kënaqësi ftesën për të vizituar Republikën e Kosovës.

Temat: