14:39 / E Shtunë, 14 Mars 2020

Lidhjet e fshehta ndërmjet Variola Verës dhe Virusit Korona

Shkruan: Milazim Krasniqi

Kur u shfaq në Kosovë epidemia e lisë (variola vera) në vitin 1972, kam qenë nxënës në klasën e dytë të shkollës së mjekësisë në Prishtinë. Që në ditët e para të njoftimit për epideminë, profesorët na patën dhënë mësime shtesë për atë sëmundje dhe për mënyrat se di duhej të mbroheshim prej saj. Poashtu patën filluar të na përgatisnin në kabinetin e ushtrimeve, që të ndihmonin në spitale, nëse epidemia do të merrte përmasa më të mëdha. Vaksinimin na e patën bërë në mënyrë të organizuar, pa zhurmë, pa medie, si një detyrim qytetar dhe ligjor. Gjatë atyre javëve, gazeta “Rilindja” informonte për ecurinë e luftimit të epidemisë, në mënyrë bukur dramatike, mobilizuese, por raportimi dominant ishte mirëfilli informativ, aspak argëtues, aspak senzacional. Që nga ajo kohë kam filluar ta lexoj rregullisht gazetën “Rilindja” deri sa, paradoksalisht, u mbyll në Kosovën e lirë. Nga ato raportime, mbaj mend se heroi i asaj lufte kundër sëmundjes së rrezikshme, ishte Dr. Durmish Celina. Qëndrimi i tij në mesin e të sëmurëve, deklaratat e tij optimiste e afirmonin Dr. Durmishin si mjek të aftë e burrë të guximshëm. Më ka mbetur në kujtesë si njëri nga heronjtë e mi, pas kaq deceniesh. Dr. Durmishin e kam parë ato net disa herë edhe në ekran, kur shikonim lajmet në grup në konvikt, me ç’rast nxënësit disi bënin me gisht drejt ekranit, kur dukej silueta e tij. Që atëherë pata filluar ta kuptoja se çdo krizë i nxjerrë edhe heronjtë e vet. Me siguri edhe lufta e tashme kundër pandemisë së virusit korona, do t’i ketë heronjtë e vet.

Në shtypin serb, të cilin në atë kohë nuk e lexoja, sepse ende nuk e dija serbishten, thuhej se ngriheshin akuza për shqiptarët dhe besimin islam, meqë personi i parë që ishte diagnostikuar me sëmundjen, Ibrahim Kryeziu nga Gjakova, ishte kthyer me infeksion nga haxhi. Nuk jam rikthyer kurrë që të shikoja ato përmbajtje mediale, ndoshta kanë qenë ashtu ose i ekzagjeronin në bisedat në oda. Nëse kanë qenë të ekzagjeruara, mund të pandehet se mosbesimi ndaj regjimit jugosllav ka qenë aktiv edhe në atë kohë e edhe në ato rrethana kritike. Nëse ato etiketime kanë qenë të vërteta, kjo mund të na e japë një ide se virusi i nacionalizmit serb ka qenë aktiv edhe në atë kohë e në rast. Pra, krizat gjejnë pretekste që të nxjerrin në pah edhe motivet e fshehta të urrejtjes ideologjike, fetare, racore ose kombëtare. (Edhe me rastin e pandemisë së virusit korona, lidhur me vatrën e saj, Kinën, ka pasur aso batutash.)   

Mbaj mend se në minutat e pushimit në shkollë, shëtisnim nëpër stadiumin që ishte ngjitaz me oborrin e shkollës dhe flisnim me seriozitet e frikë për sëmundjen që na e rrezikonte jetën. Kam përshtypjen se patëm filluar ta donim më shumë njëri-tjetrin, si shokë/shoqe, si miq, si njerëz, sepse e donim më shumë jetën. Dhe flisnin më me pasion për ndihmat që ishim të gatshëm t’u ofronim pacientëve, kur të na angazhonin, siç na kishin paralajmëruar profesorët tanë. Ndiheshim të vlefshëm, që po pritej edhe prej nesh ndihma. Dhe më duket se identiteti shqiptar i Kosovës në mendjen time aty ka filluar të formohej më thekshëm. Në fakt, kjo buronte nga motivimi që na kishin bërë disa nga profesorët tanë. Veçmas profesori Emrush Azizi, që ka qenë njëri nga profesorët dhe njerëzit më të mirë që kam takuar në jetë. Prandaj gjithnjë besoj se profesorët mund të bëjnë shumë edhe në kohë të krizave për motivimin dhe edukimin e nxënësve dhe të studentëve të vet, që t’u krijojnë vetëbesim, t’u japin shpresë. Fjala e tyre vlerësohet, mbahet mend dhe ashtu krijon zinxhirin e dijes dhe të etikës. Epidemia variola vera u eliminua pas disa javësh.Triumfoi mjekësia, mobilizimi institucional, organizimi shoqëror. Po pastaj u harrua shpejt. Kështu do të ndodhë edhe me pandeminë e virusit korona. Sëmundja do të mposhtet, jeta do të triumfojë. Por për ta bërë këtë me kosto sa më të ulët, duhet që mjekësia të jetë në nivelin e duhur, mobilizimi institucional dhe organizimi shoqëror të jenë poashtu në nivel të lartë. Në rastin tonë sui generis, ndoshta kjo sëmundje e rrezikshme, mund të na ndihmojë që të bëhemi më shumë shtet e më shumë shoqëri nga sa jemi. Dhe më shumë nga sa jemi, njerëz të mirë. Kam dëshirë, por për këtë nuk jam i sigurt. Pse? Sepse variola verën vërtet e patëm harruar shpejt. Dhe patëm vazhduar me stilin e mëhershëm të të jetuarit si të shkujdesur, pa mbajtur në vëmendje asgjë nga ajo frikë, nga ai motivim, nga ai mobilizim. Pa i mbajtur mend heronjtë e asaj lufte të rrezikshme. Kam drojë se kështu do të na ndodhë edhe me virusin korona. Harresa dhe shkujdesja janë lidhjet e fshehta edhe ndërmjet ish epidemisë variola vera të vitit 1972 dhe virusit korona të këtij viti. Fatkeqësisht harresa dhe shkujdesja janë lidhje të fshehta edhe të shumë problemeve tona etike politike, nacionale. Por, tash për tash me rëndësi është vetëm që të mposhtet sëmundja. Diçka na mbetet si përvojë e si kujtesë edhe prej kësaj. E pakta ndonjë nxënës, kështu si puna ime, do të sjellë në kujtesë të lexuesve, diçka për pandeminë e korona virusit në vitin 2068. Bartja e kujtimeve dhe e përvojave nga një brez te tjetri, është një lidhje e fshehtë e jetës sonë njerëzore. (14 mars 2020)                 

Mos i humb