18:41 / E Mërkurë, 23 Tetor 2019 / indeksADMonline

Liga Shqiptare e Futbollit në Austri – ligë model

Shkruan: Demir Reshiti

Sukseset e mërgimtarëve tanë në fusha të ndryshme i përjetojmë edhe ne, kudo që ndodhemi, dhe krenohemi me sukseset e tyre. Sot, sportistët tanë që jetojnë e veprojnë në shtete të ndryshme janë shndërruar në ambasadorët më të mirë për Kosovën.

Nëpër disa shtete ku është më e përqendruar mërgata shqiptare, krahas organizimit të tyre në shoqata të ndryshme kulturore, ata kanë formuar edhe shoqata e klube sportive dhe organizojnë gara në sporte të ndryshme.

Një shoqatë e tillë është Liga Shqiptare e Futbollit në Austri, e themeluar në vitin 2010. Qëllimi i kësaj iniciative ka qenë dhe do të jetë që sporti shqiptar, sidomos futbolli në Austri, të prezantohet në mënyrë të organizuar dhe profesionale, të tregohet disiplinë dhe cilësi sportive. Kjo Ligë, në vitin 2013 nga Ministria e Diasporës, është vlerësuar me  Çmimin Vjetor të Diasporës dhe Mërgatës, për veprimtari sportive.

Sivjet për të dhjetën herë me radhë janë organizuar garat në kuadër të kësaj Lige si dhe është organizuar ceremonia e shënimit të 10 vjetorit të Ligës.

Në këtë ceremoni isha i ftuar edhe unë në cilësinë e autorit të emisionit “Më Afër” në RTK – Radio.
Punën, angazhimin dhe sukseset e bashkatdhetarëve që e drejtojnë këtë Ligë, i kam përcjellë pothuajse që nga themelimi i saj. Me drejtuesit e Ligës kam krijuar raporte të afërta dhe shumë miqësore dhe është hera e dytë që më ftojnë në aktivitetet e tyre. Fillimisht isha i mysafir në vitin 2013 në përmbyllje të edicionit të katërt të garave ndërsa sivjet, më 20 tetor isha i pranishëm në ceremoninë e shënimit të 10 vjetorit të themelimit të Ligës. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm edhe përfaqësues tëtrupit Diplomatik të Shqipërisë dhe të Kosovës në Vjenë, përfaqësues nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike të Republikës së Kosovës, përfaqësues nga Federata Shqiptare e Futbollit, përfaqësues të mediave nga Kosova e Maqedonia si dhe përfaqësues të Shoqatave të ndryshme të mërgatës shqiptare në Austri.

Ceremoninë e shënimit të 10 vjetorit e ka drejtuar me kompetencë Abdullah Abdullahu, udhëheqës i lidhjes së gjyqtarëvedhe njëri nga më meritorët për mbarëvajtjen e Ligës… Me një fjalë rasti të pranishmit i ka përshëndetur kryetari aktual i LSHFA, Jonuz Saliuka, ndërsa për historikun dhe sukseset e Ligës ka folur Qani Sylejmani, njëri nga themeluesit e Ligës dhe kryetar nderi i saj.

Aktivitetin e kanëpërshëndetur ambasadori i Shqipërisë në Vjenë z. RolandBimo, pastaj përfaqësuesja nga Ambasada e Kosovës në Vjenë, zonja Shkurte Krasniqi, përfaqësuesja nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike të Republikës së Kosovës, zonja ShefkinazeVllasaliu, përfaqësuesi i FSHF-së, Idriz Gashi, etj.

Me një fjalëpërshëndetëse të pranishmëve iu drejtova edhe unë, i ftuar nga organizatori në cilësinë e drejtuesit të emisionit “Më Afër”, me c’rast i përgëzova për punën kolosale që po e bëjnënë prezantimin e denjë të sportit dhe kulturës shqiptare në Austri.

Programi i shënimit të 10 vjetorit ka vazhduar me ndarjen e plaketave dhe mirënjohjeve për individë dhe grupe që kanë kontribuuar në sukseset e Ligës. Një plaketë e tillë me motivacionin: “Falënderim për kontributin e dhënë në aktivitetet sportive të LSHFA”, mu nda edhe mua!

Në vazhdim është shfaqur një dokumentar me fotografi e video që pasqyronin një pjesë të aktivitetit dhjetëvjeçar të Ligës, i përgatitur nga Halil Jashari. Gjithashtu është shfaqur edhe një program i pasur kulturor me valle e këngë nga Shoqata “12 Qershori” nen drejtimin e Rolanda Limanit.

Pas përfundimit të aktivitetitnë një studio të improvizuar në objektin e administratës komunale në Vjenë, zhvillova një bisedë me drejtuesit kryesor të kësaj Lige të cilët njëherësh janë edhe bartës të aktiviteteve të shumta kulturore e sportive që organizon mërgata shqiptare në Austri, përkatësisht: z. JanuzSaliuka, kryetar; z. Qani Sylejmani, njëri nga themeluesit e ligës dhe kryetar nderi; z. Abdullah Abdullahu, udhëheqës i lidhjes së gjyqtarëve; z. Luan Kreka, anëtar i kryesisë; z. VaxhidBislimi zëvendës sekretar; dhe z. Amir Januzaj, administrator i ueb faqes së LSHFA. Të pranishëm në këtë studio të improvizuar e kisha edhe Idriz Gashin, përfaqësues i Federatës Shqiptare të Futbollit. Këtë bashkëbisedim do ta transmetojë të dielën më 27 tetor 2019 prej orës 22.10 në RTK-Radio.