75 Mall Live Search
15:00 / E Premte, 11 Maj 2018 / indeksADMonline

Ligjëratat e imamëve në burgje do të ndikojnë pozitivisht

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, si dhe kryetari i Bashkësinë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, kanë nënshkruar sot Marrëveshje Bashkëpunimi për realizimin e rehabilitimit dhe ri-integrimit të personave të burgosur sipas legjislacionit në fuqi.

Tahiri shprehu bindjen se organizimi i ligjëratave fetare për të burgosurit do të rrit vetëdijen lidhur me rreziqet e radikalizmi fetar.

“Përmes ofrimit dhe organizimit të ligjëratave fetare për të burgosurit në institucionet korrektuese, besojmë shumë se do të rritet vetëdija si në mesin e personave të privuar nga liria, që mbahen në institucionet korrektuese, ashtu edhe në institucionet e përfshira në zbatimin e këtij Memorandumi”, ka thënë Tahiri.

Ai ka theksuar  se idetë e radikalizmit kanë përfshirë gjithë botën, dhe Kosova nuk ka mbetur imune nga kjo dukuri. Megjithatë, sipas ministrit, numri i pjesëmarrësve në konfliktet e huaja ka rënë dukshëm.

Kurse kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava tha se BIK-u, do të jetë i angazhuar në dhënien e kontributit në luftimin e çfarëdo forme të radikalizmit fetar.

Tërnava është shprehur i bindur se të 20-të imamët e përzgjedhur do të ndihmojnë në deradikalizimin e të burgosurve pasi sipas tij, radikalizmi dhe ekstremizmi fetar nuk kanë asnjë lidhje me Islamin.

Në anën tjetër, Studiuesi i Shkencave Islame, Dr.Mustafa Bajrami për Indeksonline e ka quajtur këtë iniciative të mirë dhe që do të ketë suksese në të ardhmen.

“Nëse ligjëratat që do të mbahen para të burgosurve përgatiten mirë, pra, nëse Bashkësia Islame e Kosovës dërgon njerëz të përgatitur mirë, e jo veç sa për të thënë, ato ligjërata do të reflektojnë pozitivisht. Mos të harrojmë, gjuha e mirë, e butë, dhe që përkon me dinamikat e kohës, është mjet shumë i fortë për orientime të nevojshme të rinjve tanë”, është shprehur Bajrami .

Tutje, Bajrami ka thënë se ligjëratat e imamëve mund të ndikojnë shumë në deradikalizimin e personave të kthyer nga luftërat në Siri.

“Jemi ndër ata që vazhdimisht kemi thënë e kemi shkruar se ligjërata nëpër xhamitë tona duhet të ndryshojë. Duhet t’i ikim asaj forme të vjetërsuar të ligjëratave nëpër xhamitë tona. Duhet përgatitje adekuate për të ligjëruar nëpër xhamitë tona. Përderisa ato objekte frekuentohen nga mijëra të rinj, atëherë, mesazhet që dalin nga aty duhet të jenë të forta, të përçojnë fjalën e Allahut që thërret në dashuri dhe respekt të ndërsjellë. E, pra, edhe nëpër burgje mund të ketë efektet e veta. Të rinjtë tanë janë mashtruar, nga individë të caktuar, falë Zotit që janë pak, ama, gjithsesi janë lajthitur nga ligjërata të gabueshme dhe nga medie e portale që thërrasin në forma ekstreme të praktikimit të fesë. Edhe pse në burgje, koha e ligjërimeve është mjaftë e limituar, megjithatë, mendoj se do të ndikojë pozitivisht tek të kthyerit nga Siria”, është deklaruar Studiuesi i Shkencave Islame.

Sipas Marrëveshjes, Bashkësia Islame e Kosovës angazhohet në sigurimin e ligjëratave fetare nga Lista e imamëve të BIK-ut e verifikuar në mënyrë të duhur, ndërsa Ministria e Drejtësisë siguron hapësirat për mbajtjen e ligjëratave si dhe bënë ofrimin e sigurisë për zyrtarët fetar gjatë vizitave të tyre në institucionet korrektuese./Indeksonline/

Temat: