14:57 / E Enjte, 25 Tetor 2018 / indeksADMonline

“Ligji për paga nuk e respekton parimin punë e barabartë – pagë e barabartë”

Partia Socialdemokrate ka përshëndetur reformën në administratë publike, por ka shprehur vërejtjet që ka në projektligjin për pagat.

Sipas tyre, problematik është ligji për pagat, ku konsiderojnë se shteti është kujdesur që të forcojë sektorët që janë në shërbim të vet sesa ata që janë në shërbim të qytetarëve.

Deputetja Shqipe Pantina tha se në parim e mbështesin projektligjin, por që shtojca 1 e tij duhet të ndryshohet rrënjësisht.

“Kjo ndikon që shteti të jetë çdo herë i varur nga politika. Paga më e lartë, ajo e presidentit, vlerësohet me 12. Nuk duhet të ketë koeficient më të lartë se 10. Ligji nuk respekton parimin për punë të barabartë-pagë të barabartë.

Problem edhe te shtesat. Nuk garanton transparencë në këtë çështje. Konsiderojmë, se shtojca 1 e projektligjit për paga, duhet të ndryshohet rrënjësisht, dhe t’i jap përparësi shëndetësisë dhe arsimit”, tha ajo. Ndërsa kryetarja e komisionit për shëndetësi Besa Baftiu tha se për PSD-në, shëndetësia dhe arsimi janë prioritet. “Shëndetësia është prioritet dhe si e tillë duhet të trajtohet. Kërkojmë që profesionistët shëndetësorë të kenë pagë që iu mundëson jetë të dinjitetshme”, tha ajo.