11:25 / E Martë, 30 Janar 2018 / indeksADMonline

Ligji për presidentin, opozita kundër benefiteve të përjetshme

Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Presidentin e Republikës së Kosovës ka shkaktuar debat të nxehtë në Komisionin për Integrime Evropiane.

Një pjesë e anëtarëve të komisionit kritikuan, siç u shprehën, rregullimin në mënyrë të njëanshme të pagave dhe privilegjeve, duke thënë se përgjigjen për ligjin për paga duhet ta japë Ministria e Administratës Publike.Pavarësisht kësaj, Komisioni për Integrime Evropiane ka miratuar dhe proceduar në Kuvend Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Presidentin e Republikës së Kosovës. Armend Zemaj nga LDK-ja, tha se tendencë e çdo institucioni që të rregullojë në mënyrë të njëanshme pagat dhe privilegjet është e padrejtë.

“Kjo po krijon dallime mes institucioneve. Privilegjet e caktuara dhe benificionet për presidentin e vendit janë pothuajse të njëjta me institucionet tjera. Është e papranueshme që disa institucione që pas përfundimit të mandatit i është lejuar benefite të përjetshme. Kjo nuk po lë shije të mirë në raport me qytetarët e vendit. Rasti është dhe me rritjen e pagave të qeverisë. Abstenoj nga ky votim, sepse në të kaluarën iu kemi lejuar institucioneve që të kenë përfitime të përjetshme. Përgjigjen duhet ta japë Ministria e Administratës Publike për ligjin për pagat”, ka thënë ai.

Ndërsa, Fatmire Kollçaku- Mullhaxha nga Lëvizja Vetëvendosje ka kritikuar rritjen e pagave në qeveri, duke thënë se krerët institucionalë nuk po japin shembull të mirë.

“Duke shkelur ligjin në fuqi i ngritin njëanshëm pagat si qeveri. Do të votojë kundër çdo beneficioni, qoftë dhe me institucionin e presidentit. Në një vend me varfëri të skajshme tendenca që të sigurohet dikush përjetësisht, këtu s’di a bëhet fjalë për mbretër apo njerëz të rëndomtë dhe se shumica prej tyre nuk i meritojnë postet”, ka thënë ajo. Edhe Milaim Zeka nga Nisma për Kosovën u shpreh kundër ligjit. “Jam kundër këtij ligji, sepse shtetet e rregullojnë veç e vetë, por ne s’jemi shtet. Ne nuk jemi Parlament funksional që i bën kontroll ekzekutivit, sepse po t’i bënim kontroll ekzekutivi nuk i kish rrit rrogat hiq. Agjencitë e pavarura sillen si mini-shtete dhe në aspektin funksional nuk jemi kërkah”, tha ai.