12:22 / E Premte, 18 Nëntor 2022 / k.v

Ligji ua mundëson policëve serb rikthimin në detyrë

Rreth 600 pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë dhënë dorëheqje nga detyra si shenjë revolte ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave serbe në RKS dhe për mos përmbushjen e marrëveshjes së Brukselit e cila parasheh themelim të Asociacionit të Komunave Serbe.

Policët serbë në mënyrë zinxhirore iu bindën thirrjeve të Beogradit për ta lënë uniformën e Policisë së Kosovës si shenjë proteste.

Por është një nen i Ligjit mbi Policinë i cili ua mundëson atyre rikthimin në detyrë nëse ata shprehin dëshirën dhe gatishmërinë.

Neni 65 i Ligjit për Policinë që flet për të drejtën e rikthimit të zyrtarit policor thotë:

65.1 Zyrtari policor i cili jep dorëheqje nga Policia me qëndrim të mirë mund të ripunësohet në Polici pa konkurs, nëse ka ndonjë pozitë të lirë për të cilën ai është i kualifikuar.

65.2 Nëse ripunësimi bëhet pasi ka kaluar një (1) vit të pandërprerë, zyrtari policor vazhdon karrierën një gradë më ulët se ajo që ka mbajtur para shkarkimit ose ricertifikohet për gradën që mbante më parë.

65.3 Zyrtari policor i cili shkarkohet nga puna si rezultat i riorganizimit apo reduktimit të numrit të punëtorëve, dhe jo për ndonjë akuzë, mund të ri-punësohet nga Policia pa konkurs nëse ka ndonjë pozitë të lirë për të cilën ai është i kualifikuar.

Në një përgjigje të Policisë së Kosovës për IndeksOnline sa i përket largimeve të policëve serbë thuhet se disa prej punonjësve të dorëhequr kanë dorëzuar pajisjet e tyre e disa të tjerë janë në proces të dorëzimit të pajisjeve, për të vazhduar më pas me kompletimin e procedurave tjera të parapara.

“Policia e Kosovës njofton se ka kapacitete për menaxhimin e situatës dhe rrethanave të krijuara në veri, ku tani pas dorëheqjeve në mungesë të personelit dhe kapaciteteve të mjaftueshme policore në veri, do të rris gradualisht kapacitetet e saja policore me zyrtarë të rendit publik”, thuhet në përgjigjen e Policisë për IndeksOnline.