Limaj: Mbyllja e VITA-s është një goditje e rëndë për prodhimin vendor dhe për ekonominë e Kosovës
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka reaguar pas mbylljes së përkohshme të qumështores “Vita”, duke e cilësuar këtë zhvillim si një goditje të rëndë për prodhimin vendor dhe ekonominë e Kosovës.
Limaj tha se “Vita” nuk është thjesht një kompani, por një nga krenaritë e prodhimit vendor, e cila për më shumë se dy dekada ka mbështetur mijëra fermerë, ka punësuar qindra qytetarë dhe ka dëshmuar se në Kosovë mund të prodhohet me cilësi dhe sukses.
Sipas tij, kur mbyllet një prodhues i këtij niveli, nuk humbet vetëm një biznes, por goditen fermerët, humben vendet e punës, dobësohet ekonomia dhe u hapet rruga produkteve të importit.
Limaj kritikoi edhe Qeverinë, duke thënë se prej kohësh e ka trajtuar sektorin privat si kundërshtar. Ai u shpreh se, në vend që të mbështetet prodhuesi vendor, bizneset po përballen me presion të vazhdueshëm, ndërsa inspektoratet, sipas tij, duhet të zbatojnë ligjin dhe jo të përdoren për të dëmtuar ata që investojnë, prodhojnë dhe mbajnë në punë mijëra familje.
Ai shtoi se një qeveri që e ka seriozisht zhvillimin ekonomik nuk i mbyll fabrikat, por krijon kushte që ato të rriten, të punësojnë më shumë njerëz dhe të jenë më konkurruese.
Në fund, Limaj theksoi se ka qenë gjithmonë në krah të prodhuesit vendor, duke shtuar se Kosova nuk forcohet duke mbyllur prodhuesit e saj, por duke mbrojtur prodhimin vendor, fermerët, punëtorët dhe çdo biznes që investon në vend.

