13:49 / E Enjte, 27 Shtator 2018 / indeksADMonline

Limaj merr pjesë në vënien e gurthemelit të një fabrike në Klinë, fton mërgatën të investojë në Kosovë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj ka marr pjesë në vënien e një gurthemeli të një fabrike e cila merret me përpunimin e metaleve në fshatin Grabanicë të komunës së Klinës.

Më këtë rast, Limaj ka thënë se ky është moment i rëndësishëm jo vetëm për Klinën, por edhe për Kosovën.

Limaj ka përgëzuar investitorin Ahmet Faniqi, i cili jeton dhe punon në Gjermani.

Sipas Limajt, ky është shembulli më i mirë që tregon se diaspora është e lidhur me atdheun.

“Pas një punë të madhe atje janë të interesuar për të investuar në vendlindje dhe janë të interesuar që përvojën dhe kapitalin që kanë arritur me mund e përpjekje ta kthejnë dhe të investojnë në vendin e tyre”, ka thënë Limaj.

Më tutje ai ka thënë se janë dëshmitar të fillimit të punimeve të një projekti të madh i cili kap shifrën e mbi një milion eurove ku do të punësohen një numër i madh i qytetarëve të kësaj zone.

“Iu sigurojmë se qeveria do të jetë mbrapa për të mbështetur çdo iniciative të tillë konkretë që hap mundësinë investimeve të reja dhe hap perspektivë të re vendit tone”, ka shtuar Limaj.

Ai ka ftuar bashkatdhetarët tanë që jetojnë anekënd Evropës të mos hezitojnë dhe të investojnë në Kosovë nëse e shohin në interesin e tyre.

Kosova thotë Limaj se ka mundësi e potencial dhe qeveria do të jenë në krah të tyre. E investitori Ahmet Faniqi u shpreh i lumtur me fillimin e punimevë të kësaj fabrike. Ai falendëroi qeverinë lokale dhe qendrore për mbështetjen e dhënë.