17:34 / E Hënë, 27 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Limaj nënshkruan një marrëveshje me shtetin shqiptar, ja për çka bëhet fjalë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj njëherësh përgjegjës për udhëheqjen e politikave ekonomike mes Kosovës dhe Shqipërisë ka nënshkruar në emër të Qeverisë së Kosovës memorandumin për bashkëpunim mes zyrës së kryeministrit të Kosovës dhe zyrës së kryeministrit të Shqipërisë për shkëmbimin e përvojave dhe bashkëpunimin për zbatimin e rregullimit më të mirë, vlerësimin e ndikimit dhe përmirësimin e praktikave të zhvillimit të politikave.

Më këtë rast, Limaj ka thënë se deri të arritja e këtij memorandumi janë realizuar disa takime të cilat kanë realizuar me akordimin e palëve. Limaj ka thënë se kjo fushë ka nevoje për vëmendje të vazhdueshme dhe mbështetje nga zyrët përkatëse të dy kryeministrave.

Tutje, ai ka thënë se ky memorandum kontribuon në ngritjen e cilësisë së politikave dhe të legjislacionit. E, nga pala shqiptare kjo marrëveshje është nënshkruar nga ministrja e Drejtësisë, Edlida Gjonaj. Zëvendëskryeministri Limaj kohë më parë është caktuar përgjegjës për udhëheqjen e politikave mes Kosovës dhe Shqipërisë. Këtë detyre Limaj e ka marrë me qëllim të thellimit të bashkëpunimit ndërshtetëror dhe mbikëqyrjes së zbatimit të marrëveshjeve të arritura.