20:03 / E Shtunë, 10 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Limaj takon të rinjtë e Gjakovës, kjo është porosia e tij

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka mbajtur takim me të rinjtë e Nismës në Gjakovë, gjatë të cilit ka thënë se dy nga gjërat më të rëndësishme për të cilat sot e ka filluar këtë tur, janë arsimimi dhe vetëpunësimi.

Kryetari Limaj ka thënë se rinia sot duhet ta ketë një ëndërr kolektive dhe që ajo duhet të jetë shtetndërtimi i Kosovës, pasi që ëndrrat individuale nuk kanë sjellë rezultate asnjëherë.

Limaj foli për Qendrën e arsimit profesional dhe vetëpunësimin.

“Sot kemi të rinj që nuk kanë asnjë zanat. Nuk mundet me qenë një fëmijë më i keq ose më i mirë, me dallua kush e kryen fakultetin, kush nuk e kryen fakultetin. Një vajzë a një djalë të mirë e përcakton karakteri, respekti, puna, angazhimi, sjellja etj. Nuk na ka falë Zoti krejtve me kry fakultet, po zanat mundemi me marrë secili. Djem e vajza kthejuni zanatit. Shkoni aty ku ju mbështet shteti. Ne jemi të gatshëm me iu mbështet”, porositi të rinjtë kryetari Limaj.

Ai deklaroj se përmes këtij turi të takimeve dëshiron me e mobilizua rininë e Kosovës, ata që duan të punojnë.

“I ri veç një herë bëhesh, i papjekur gjithmonë mbet. Mos e çoni rininë poshtë. Ju kisha lutë djem e vajza që t’i kthehemi punës. Një djalë dhe vajzë 18 vjeçare nuk duhet ta fillojë jetën me kërkesa individuale por duhet t’i hap sytë, të punojë, të investojë për veten e tij, që shoqëria t’ia shohë vlerat. Ne po vazhdojmë me kërkesa, pa qenë të gatshëm me bë asgjë vetë. Rrimë, zgjedhim nejen, në vend që të hulumtojmë vetëiniciativa. Kërkesat tuaja nuk kanë me gjet adresim, prandaj këto kërkesa individuale t’i kthejmë në program dhe vizion për ta ndryshuar gjendjen e shumicës në vendin tonë”, theksoi kryetari Limaj.

Përveç tjerash  Limaj tha se gjenerata e tije ka pas ëndërr lirinë e Kosovës, ndërsa rinia sot ta ketë ëndërr shtetndërtimin.

“Secili duhet të ketë ëndrra individuale, por përveç kësaj a ka një ëndërr kolektive si ne që e kemi pas, një konsensus i pathënë, i pa votuar. Nëse ne dikur e kemi pas ëndërr lirinë e Kosovës, rinia sot ta ketë shtetndërtimin e Kosovës e për të qenë krenar që jemi këtu, që jetojmë në Gjakovë, që vendi ynë e ka emrin Kosovë, e me qu pasaportën përpjetë e me qenë krenar”, tha ndër tjerash kryetari Limaj në takimin me të rinjtë e NISMA’s në Gjakovë.

 

Temat: