21:31 / E Diele, 16 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Limaj: Viti po përmbyllet me tri tema të mëdha Ushtria, taksa dhe formimi i delegacionit shtetëror për bisedime

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se viti 2018 po përmbyllet me tri të arritura të mëdha.

Limaj ka deklaruar se këto rezultate kanë gjetur mbështetje të gjerë tek qytetarët.

“E kam fjalën për taksën, Ushtrinë dhe formimin e delegacionit shtetëror për bisedime me Serbinë dhe në këto tri vendime, Nisma ka dhënë një kontribut të madh”, ka thënë Limaj në një tubim përmbyllës me zyrtarë të partisë.

Sipas Limajt shumë pak persona kanë besuar në këto vendime.

“Me i mbrojtë prodhuesit vendor, me ndërtu një delegacion shtetëror për bisedime me Serbinë dhe me formu Ushtrinë”, ka theksuar Limaj.

Limaj me pas ka folur për partinë e cila drejtohet pikërisht nga ky i fundit.

“Krejt çka ka arritur partia, është rezultat i juaji. Nisma sot është parti e organizuar. E kemi bërë një familje politike me plot energji pozitive. Një parti që nuk merret me problemet e partive tjera politike, por krejt energjitë i vë në funksion të vendit. Ne nuk e shfrytëzojmë kohen për me u marrë më partitë tjera politike.”, ka deklaruar Limaj.

Limaj ka bëre apel që të vazhdohet kështu dhe ta ndihmojmë vendin aq sa dinë e mundemi.

Në tri vitet e ardhshme vendi, sipas Limajt, do të jetë në udhëkryq të madh ku do të përcaktohet se ka do të shkoj Kosova./Indeksonline/