75 Mall Live Search
11:43 / E Hënë, 13 Korrik 2020 / indeksADMonline

Lipjan: Dy vdekje për dy ditë nga Covidi-19, komuna merr masa

Dy persona të prekur me COVID-19 nga Lipjani kanë vdekur brenda dy ditëve të fundit.

IndeksOnline ka mësuar se njëri ka vdekur të dielën dhe një sot në mëngjes.

Pas rritjes së numrit të rasteve të prekura me virusin Corona, në Komunën e Lipjanit, Shtabi Emergjent udhëhequr nga kryetari Imri Ahmeti ka mbajtur takimin e radhës ku janë diskutuar shumë çështje me rëndësi pas rasteve të fundit me Covid-19, në Lipjan.

Kryetari Ahmeti ka marrë vendimin për zbatimin e masave shtesë për parandalimin e përhapjes së pandemisë Covid-19.

Duke u bazuar në rritjen e numrit të infektuarve me COVID-19, Komuna e Lipjanit konform me vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe legjislacionin në fuqi përcakton masa të reja shtesë, si vijon:

  1. Apelojmë te qytetarët e komunës tonë të respektojnë masat mbrojtëse anti-Covid në të mirë të shëndetit të popullatës.
  2. Mobilizim maksimal i ekipeve të mjekëve në QKMF, formimi i ekipeve mobile te veçanta dhe sigurimi i masave mbrojtëse për ekipet mjekësore. Sigurimi i automjetit të ndihmës së parë me dedikim të veçantë për të identifikuarit me COVID-19.
  3. Të sigurohen hapësira të nevojshme në objektin e QKMF-së për ndonjë invazion eventual me të identifikuar me Covid-19.
  4. Ekipet e komunës për ndihma në ushqim-të riaktivizohen, të procedojnë me urgjencë për furnizim me produkte ushqimore për familjet në nevojë.
  5. Të gjithë inspektorët e fushave të tjera gjatë kësaj periudhe marrinë autorizime shtesë ne fushën e Inspektoratit Sanitar komunal, ne shërbim te zbatimit te masave anti Covid-19.
  6. Inspektorët sanitarë sipas Ligjit për sëmundjet ngjitëse të pajisin me vendime për vetizolim çdo person të identifikuar me COVID-19 si dhe familjarët e tyre sipas protokolleve të IKSHP-së.
  7. Obligohen inspektorët sanitarë të mbajnë evidencë të saktë në koordinim me drejtorin e QKMF-së për të evidentuarit me COVOD-19 si dhe për të shëruarit.
  8. Inspektoriati në bashkëpunim me Policinë e Kosovës të zbatojë masat e orarit të punës të bizneseve sipas vendimeve të Qeverisë së Kosovës.
  9. Obligohen te gjitha bizneset shërbyese, hoteliere etj, që shërbejnë me tavolina t’i reduktojnë tavolinat dhe karriget në tarraca dhe ambiente te hapura me distanca siç kërkohet ne vendimet e Qeverisë.
  10. Inspektorati të monitorojë dhe veprojë sipas dispozitave ligjore në fuqi për mospërdoruesit e maskave dhe distancës sipas protokollit zyrtar.
  11. Të gjithë punëtorët ne të gjitha fushat e të bërit biznes obligohen të respektojnë distancën sociale dhe bartjen e maskave. Asnjë biznes nuk mund t’u shërbejë konsumatorëve që nuk janë të pajisur me maska.
  12. Te gjitha institucionet lokale komunale duhet të organizojnë punën duke krijuar kushte për distanca dhe përdorimin e maskave nga punëtorët dhe qytetarët.

Statusi i Imri Ahmeti:

Të dashur qytetarë,

Gjendja me COVID-19 në komunën tonë është serioze me trend të rritjes. Javën e fundit kemi shumë qytetarë të identifikuar me COVID-19 si pasojë e moskujdesit të gjithëve.

Kërkohet shumë më tepër kujdes dhe përmbajtje të rekomandimeve të IKSHPK-së, bartja e maskave dhe mbajtja e distancës janë masa mbrojtëse që duhet t’i aplikojmë të gjithë.

Ne ju lutemi me mirëkuptim të marrim seriozisht se virusi ekziston dhe merrë jetë të njerëzve.

Mos e nënçmoni, mos e injoroni faktin e rrezikut nga ky virus.

Në komunën tonë tashmë janë shënuar dy raste të vdekjes si pasojë e infektimit me COVID-19.

Me këtë rast shprehim ngushëllime familjarëve që humbin më të dashurit e tyre dhe lutemi për shërim sa më të shpejtë të gjithë të identifikuarve me COVID-19.