15:20 / E Mërkurë, 24 Nëntor 2021 / B O

Lira turke në kolaps, marketet kufizojnë shitjen e ushqimeve: Jo më shumë se një pako

Lira turke është zhvlerësuar me shpejtësi gjatë ditëve të fundit krahas rënies standarde që po pëson gjatë këtyre viteve duke shkaktuar pasiguri të mëdha të konsuatorët dhe bizneset vendase. Aktualisht, një dollar blihet me mesatarisht 12.8-13 lira, një çmim ky jashtëzakonisht i lartë dhe që po ndikon negativisht në ekonomi.

Nisur nga situata e krijuar, dyqanet dhe marketet kanë filluar të pengojnë qytetarët që të blejnë më shumë se një apo dy produkte të njëjta pasi i frikësohen boshatisjes së rafteve për shkak të pasigurisë së madhe në treg.

“Sozcu” raporton se një numër i madh marketesh në Turqi nuk lejojnë blerësit që të marrin më shumë se një apo dy pako me kafe dhe sheqer, ndërsa “Cumhuriyet” bën me dije se vërehen mungesa barnash dhe produktesh të ngjashme nëpër Farmaci.

Sipas mediave turke, bizneset që merren me prodhimin apo importin e plehrave kimikë kanë ndaluar shitjet pasi nuk e dinë se cili do të jetë çmimi i rifurnizimit dhe kostot e tjera që do të kenë në treg për shkak të zhvlerësimit të shpejtë të Lirës turke.

Në mjaft markete tani vërehen tabela që ndalojnë konsumatorët që të blejnë më shumë se një produkte dhe kjo vrëhet pikërisht tek ato tepër të rendësishme si mielli; vaji apo sheqeri.

Lira turke ka vijuar zhvlerësimin që prej vitit 2014, por gjithçka u përshpejtua gjatë muajve të fundit për shkak të largimit të investimeve të huaja dhe rritjes së destabilitetit politik në vend. Turqia aktualisht konsiderohet si një ndër vendet me treguesit më të lartë të inflacionit në botë.

Një natë më parë, pas goditjes në tregun e këmbimit valuator, në qytete si Ankaraja dhe Stambolli u organizuan protesta duke kërkuar largimin e qeverisë dhe Presidentit Erdogan.