14:07 / E Premte, 06 Tetor 2017 / indeksADMonline

Lirime të shumta tatimore nga Qeveria Haradinaj

Kryeministri Ramush Haradinaj dhe ministri i Financave, Bedri Hamza, kanë dalur bashkë në një konferencë për media ku kanë shpalosur vendimet që ka marrë qeveria për lirimet të shumta tatimore për të ndihmuar prodhimin vendor dhe rritjen e qëndrueshme ekonomike, njofton Klan Kosova.

“Kemi marrë dy vendime të rëndësishme; njëri vendim e liron prodhuesin nga akciza për lëndën e parë që e përdorë si burim energjie për prodhim dhe gjithashtu e liron prodhuesin edhe nga tatimi në doganë për lëndën e parë”, ka treguar shkurtimisht kryeministri, për t’ia lënë shpjegimin e detajeve ministrit të tij të Financave, pasi ka shtuar se “ky është një veprim i guximshëm, por një lajm i mirë për Kosovën, për ekonominë dhe për prodhuesin”.

Hamza më pas ka shpalosur më në detaje vendimet e qeverisë me tendencë krijimin e lehtësirave për prodhuesit vendorë.

“Lirimi nga tatimi i akcizës të lëndëve, apo burimeve energjetike që përdorën për prodhim, pastaj ndryshimi i pagesës së akcizës ku nuk ka nevojë që të paguhen paratë paraprakisht dhe thjeshtësim dhe mundësimi për importe direkt nga ana e prodhuesve dhe jo si deri më tani që ka qenë vetëm ndërmjet ndërmjetësuesve”, pohoi Hamza.

“Sa i përket tatimit të doganës ne në vazhdën e asaj që ka qenë e liruar, tash po ecim një hap mbi këtë duke bërë lirimin nga tatimi i doganës për të gjitha lëndët e para, për të gjitha gjysmë produktet, për ndërmarrjet prodhuese. E gjithë kjo për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm”.

Ministri ka treguar se kjo pashmangshëm do të ketë implikime buxhetore, por këto vendime ishin hap i nevojshëm, sipas tij, për rritje të zhvillimit ekonomik dhe përmirësim të ambientit prodhues e biznesor në Kosovë.

“Ne jemi përcaktuar që buxhetin ta rrisim nga rritja ekonomike, nga zhvillimi ekonomik. Prandaj po krijojmë parakushte me këto lirime për rritje dhe zhvillim ekonomik. Nuk guxojmë të mendojmë se nëse bëjmë lirime të caktuar ‘a do t’i humbim disa milionë në mbledhje të tatimit’. Pasi këto masa do të kenë efekt pozitiv “.

Haradinaj, i pyetur nga Klan Kosova, ka shpjeguar edhe një vendim të marrë për energjinë elektrike dhe për atë se ku qëndrojnë me projektin e Kosovës C.

“Strategjia parasheh krejt veprimet që ndodhin në energji, dhe dinamikën për Kosovën C po ashtu. Dinamika për Kosovën C është në fazën finale. Nuk mund të flas më në detaje, por është në fazën finale”.

Kryeministri ka treguar edhe se “në pranverë fillon ndërtimi i autostradës së Dukagjinit”, njofton Klan Kosova.

“Më pas do të veprojmë në auto-udhën për Gjakovë nga komuna e Klinës. Të gjitha këto janë në kalkulime të qëndrueshme”.