23:47 / E Shtunë, 22 Qershor 2019 / indeksADMonline

Liria e lëvizjes së mallrave, përplas Kosovën dhe Serbinë në Sarajevë

Sesioni Plenar i Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropëës Juglindore, i kryesuar nga Bosnjë e Hercegovina, nuk arriti të miratojë dokumentin kryesor – Deklaratën e përbashkët përfundimtare.

Kjo sepse delegacionet e Kosovës dhe Serbisë nuk arritën konsensus për amandamentet që lidheshin me lirinë e lëvizjes së mallrave, shërbimeve dhe njerëzve brenda rajonit, si një forcë shtytëse e rritjes ekonomike dhe integrimit në një treg më të gjerë evropian, me rëndësi të veçantë të zbatimit të plotë të rregullave dhe procedurave të CEFTA midis të gjithë pjesëmarrësve të kësaj marrëveshjeje.

Delegacioni i Kuvendit propozoi plotësimin e amandamentit të propozuar nga delegacioni serb: “Të gjitha palët duhet t’i respektojnë apo mbeshtesin plotësisht parimet e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe të pajtohen me marrëveshjet ekzistuese rajonale dhe dypalëshe. Për të ndodhur një gjë e tillë, pjesëmarrësit e SEECP-së zotohen që t’i njonin të gjitha autoritetet zyrtare respektive të vendeve të origjinës së produkteve”. 

Delegacionet e Kosoves dhe Serbisë nuk u pajtuan me propozimet reciproke, duke paraqitur argumente pro dhe kundër.

Ky amandament tejkaloi agjendën e paraparë, duke hapur një debat të gjatë në mes delgacionit te Kuvendit të Kosovës dhe delegacionit nga Parlamenti i Serbisë. 

Sipas rregullores së punës së AP të SEECP-së, vendimet merren me konsensus.

Përveç Kosovës, pjesëmarrës në këtë sesion janë edhe delegacionet nga Bullgaria, Turqia, Greqia, Rumania, Serbia, Sllovenia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Kroacia.

SEECP është një proces rajonal i themeluar në Sofje më 1996 me synimin për të forcuar bashkëpunimin dhe besimin rajonal, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, stabilitetin dhe sigurinë, marrëdhëniet ekonomike dhe bashkëpunimin në dimensionin njerëzor, drejtësinë, luftën kundër krimit të organizuar dhe luftën kundër terrorizmit. 

Asambleja Parlamentare e SEECP-së ka një rol të rëndësishëm, pasi që është një organizatë, ambicia e të cilës është të bëhet organizatë udhëheqëse parlamentare në rajon dhe që përfaqëson platformën më të përshtatshme për të përballuar sfidat e Evropës Juglindore. 

Kosova merr pjesë në mënyrë të përhershme në aktivitetet dhe takimet e SEECP/PBEJL-së, në të gjitha nivelet dhe në kushte të barabarta.

Gjatë Samitit të Brdo, mbajtur me 14 prill 2018, u vendos që Kosova të marrë Presidencën dhe të kryesojë me SEECP në të gjitha nivelet.​