16:11 / E Diele, 19 Gusht 2018 / indeksADMonline

Lirohen aktivistët e Vetëvendosjes të arrestuar për sulmin me ngjyrë kundër policisë

Janë liruar aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje të arrestuara të premten pas një aksioni të ndërmarrë në të cilin hodhën ngjyrë të kuqe në drejtim të Policisë së Kosovës.

Arta Berisha, Elona Kurti, Patrik Domi, Rinë Zhitia, Çlirim Gërbeshi e Atdhe Arifi, ishin ndaluar nga Policia për 48 orë.

Aktivistët janë liruar sot ndërsa në mesin e të arrestuarve përgjatë të premtes ishte edhe deputetja nga radhët e VV-së, Saranda Bogujevci, e cila u liruar ndërkohë.

Aksionin e së premtes aktivistët e ndërmorën në shenjë proteste kundër mungesës së ofrimit të sigurisë dhe mbrojtjes për gratë dhe fëmijët në Kosovë, shkruan Indeksonline.

Ai ndërlidhej pikërisht me rastin që ka ndodhur ditë më parë në Brekoc të Gjakovës, ku një grua u vra bashkë me vajzën 9-vjeçare nga ish-burri.

Kurse në një konferencë për media të mbajtur sot është theksuar se lufta për barazi do të vazhdojë.

Aktivistja Rina Zhitija përgjatë konferencës për media ka deklaruar se para dy ditësh në drejtim të policisë kanë hedhur ngjyrë të kuqe që simbolizon gjakun e grave  që sipas saj, policia po e lejon.

Postimi i plotë nga Vetëvendosje pas konferencës:

Lufta për barazi vazhdon

Nga konferenca e aktivistëve të arrestuar të premtën, më 17 gusht 2008 në aksionin kundër dhunës ndaj grave. Në konferencë folën aktivistet Rinë Zhitia, Arta Berisha, Elona Kurti, Diellëz Arifi dhe deputetja Saranda Bogujevci.

Para dy ditësh ne hodhëm ngjyrë të kuqe në drejtim të ndërtesës së Policisë së Kosovës për të simbolizuar gjakun e grave që po vriten çdo ditë dhe që Policia po e lejon. Ne u arrestuam bashkë me tre shokë të tjerë ndaj të cilëve u ushtrua dhunë sikurse edhe ndaj deputetes Saranda Bogujevci. Prej të njëjtës polici e cila ua mbyll dyert grave që kërkojnë ndihmë.

Policia e Kosovës është duke e trajtuar dhunën ndaj grave si diçka të mbyllur dhe private. Ata nuk mund të guxojnë të heqin dorë nga kjo. Sigurinë e gruas njëjtë sikur të të gjithë qytetarëve duhet ta garantojnë organet përgjegjëse që po dështojnë çdo ditë.

Sigurisht keni dëgjuar për rastin që babai e dy djemtë i kanë rrahur nënën me dy motrat. Ky lajm u raportua para dy ditësh. Të tre këta janë liruar dje, në ora 18:00, pa proces gjyqësor. Ato tri gra mund të jenë ende të lënduara, me plagë të hapura por ata që ua shkaktuan plagët u liruan vetëm pas dy dite nga i njëjti vendi ku ironikisht po mbaheshim edhe ne. Pra, policia nuk është kundër dhunës. Policia është përkrahëse e dhunës. Kur policia viktimizohet është kundër që ne t’i përballim me ndërgjegjen e tyre. Përndryshe, po dëshmohet përdit në përkrahjen e dhunuesve të grave. Gratë po vriten. Policia i çon duart përpjetë.

Kështu shpëtojnë dhunuesit, kështu shpëtojnë policët përgjegjës. Inspektorati Policor në vend se të reagonte e të merrte masa ndaj policëve po shërben si mjet justifikues për ta. “Sipas të gjeturave rezulton se tani për tani nuk ka element të ndonjë veprimi apo mosveprimi të kundërligjshëm nga ana e zyrtarëve policor nga Drejtoria Rajonale e Policisë së Gjakovës”. Ky është konkluzioni i Inspektoriatit policor për vrasjen që ndodhi në Gjakovë. Inspektoriatin tani e drejton Miradie Kelmendi. Kjo zyrtare është e përfshirë në një nga skandalet më të mëdha në këtë institucion. Është sekret publik që më ndërhyrjen direkte të Hashim Thaçit ajo u emërua drejtuese e Ispektoriatit në korrik të këtij viti.

Ne e dimë që shumica e atyre që përjetojnë dhunë nuk raportojnë, por edhe numri i raportimeve është në rritje. Kjo i bjen që edhe dhuna është në rritje. Vetëm për periudhën janar – shkurt 2018, 500 gra kanë raportuar për dhunë ndaj tyre.

Zyrtarët drejtues të policisë janë shumë të zënë me menaxhimin e rrjeteve kriminale, jo rrallë edhe drejtimin e tyre. Nga trafiku i qenieve njerëzore deri te mbrojtja e kriminelëve. Kjo dukuri po e kriminalizon çdo ditë e më shumë veprimtarinë e policisë në plot segmente të saj. Mosreagimi dhe tolerimi i dhunës në rastet kur ajo ndodh ndaj grave e fëmijëve është në vijë me këtë kriminalizim të kupolës së Policisë. Nuk mund të ketë edhe korruptim të drejtuesve dhe atmosferë rigoroze brenda policisë.

Kjo polici i ka duart me gjakun e grave.

Ne e dimë që policia është instanca e fundit ku testohet shtypja ndaj grave. Gratë janë krejtësisht të shpërfillura në Kosovë. Në sfera publike e private diskriminohen dhe ato pak gra që gëzojnë disa të drejta e liri e kanë shumë më të vështirë sesa burrat. Kur një shtet nuk është I së drejtës ai prodhon vetëm pabarazi, dhe gjithmonë këtu gratë e pësojnë më keq. Në të gjitha shifrat krahasuese në raport me burrat gratë sot qëndrojnë më keq, jo për fajin e tyre por për të gjithë shoqërisë. Por gratë e Kosovës nuk do ta durojnë një shtet të padrejtë. Ne nuk do ta durojmë një shtet të dhunës!

Njëkohësisht jemi të vetëdijshme se për t’u jetësuar të drejtat formale duhet të luftojmë për to. Dhe kjo është duke ndodhur. Për Valbonë e për Kiarën është protestuar në Gjakovë, në Prishtinë, në Ferizaj. Për drejtësinë duhet këmbëngulur ccdo ditë. Për barazinë nuk bëhet kompromis. Kauza e grave është me prioritet.