17:25 / E Premte, 29 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Lirohen me kusht 215 të burgosur në Kosovë

Paneli për Lirimin me Kusht në Këshillin Gjyqësor të Kosovës mund të konsiderohet si një model për të gjitha institucionet e Kosovës pas është një nga të paktët që i ka zgjidhur të gjitha lëndët e vitit 2017.

Kjo është konfirmuar edhe nga Kordinatori i këtij paneli, Bedri Duraku i cili është shprehur për albeu.com se të gjitha rastet e parashtruara për vitin 2017 janë shqyrtuar. Ndërkaq më tej ai ka folur edhe për statistikat e punës një vjecare duke bërë të ditur se numri total i rasteve është 436.

“Gjatë vitit 2017, Paneli për lirim me kusht ka trajtuar gjithsejë 436 raste, prej tyre janë liruar me kusht 215 persona të dënuar, ndërsa janë refuzuar kërkesat për lirim me kusht për 211 persona të dënuar, është shtyer shqyrtimi për 30 ditë për 3 çështje, janë hedhur si të paparanueshme kërkesat për shqyrtim për lirim me kusht për dy çështje, janë pushuar procedurat për lirim me kusht për katër çështje, ndërsa është pezulluar lirimi me kusht për një çështje.“ tha Duraku.
Vlen të theksohet se viti 2017 ka qenë i frytshëm por edhe sfidues thotë Duraku duke shtuar se ky sukses është pasqyruar edhe në raportet e monitoruesve të zbatimit të lirimit me kusht.

“Rikujtojë se në rolin monitorues janë gjyqtarë nga EULEX-i, të cilët kanë qenë të pranishëm në të gjitha fazat e procedures së lirimit me kusht. Gjithashtu, edhe Institucioni i Avokatit të Popullit bënë vëzhgimin e rasteve konform ligjeve të aplikueshme.“ ka thënë ai.

Sipas tij, Instituti i lirimit me kusht që nga hyrja në fuqi e Kodit Penal dhe me pas edhe Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale është avancuar dukshëm,
“Këtu vlen të përmendët fakti se personave të dënuar iu është lejuar që të kenë qasje më të madhe në brendësi të kritereve të përdorura nga Paneli gjatë vendosjes në kërkesat e tyre. Paneli i Lirimit me Kusht është duke përdorur kriteret e përshtatshme ndaj personave të dënuar me qëllim të korrektimit dhe ri-socializimit të tyre si dhe është duke ndikuar pozitivisht në procesin e ri-integrimit të personave të dënuar në familje dhe rrethin shoqëror.“ ka shtuar më tej Bedri Duraku.

Nga 1 Qershori i vitit 2017, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka themeluar Panelin për lirim me kusht në pajtim me ligjin e ri për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale. Ky Panel shqyrton të gjitha kërkesat dhe propozimet për lirim me kusht të parashtruara nga Shërbimi Korrektues i Kosovës. Në të gjitha rastet e të liruarëve me kusht obligohet Shërbimi Sprovues i Kosovës për mbikqyrjen e zbatimit të masës në fjalë.- Ervin Shkulaku./Albeu.com/