75 Mall Live Search
14:57 / E Martë, 17 Shtator 2024 / k.v

Lirohen nga akuza për korrupsion tre zyrtarët e IT-së në QKUK

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj tre zyrtarëve të IT-së së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Faton Hajzeraj, Leutrim Jahja dhe Ylber Krasniqi, të cilët akuzoheshin për keqpërdorim të pozitës zyrtare, lidhur me rastin e montimit të kamerave në QKUK.

Aktgjykimi në fjalë u shpall të martën nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Naser Foniqi, raporton “Betimi për drejtësi”.

Sipas këtij aktgjykimi, nuk është provuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale e cila iu vihej në barrë.

Gjykatësi Foniqi po ashtu theksoi se trupi gjykues ka ardhur në përfundim se të akuzuarit nuk kanë përfituar në asnjë mënyrë as për vete e as nuk e kanë dëmtuar QKUK.

“Ne kemi ardhur në përfundim se kontrata ashtu siç është nxjerrë në mes QKUK-së dhe subjektit ekonomik nuk ka pasur ndryshime, nuk ka pasur plotësim të kontratës, punimet janë kryer me 44 ditë vonesë sipas provës që e kemi ne, gjë e cila në kohën kur ka ndodhë rasti ka qenë e arsyeshme, sepse të gjitha institucionet në atë kohë e kanë pasur vështirësi, bile ka pasur edhe vendime të Qeverisë që mos me u punu përveç rasteve të jashtëzakonshme”, tha gjykatësi Foniqi.

Gjithashtu, gjykatësi tha se nuk ka asnjë provë që të dëmtuarës- QKUK, siç pretendohej sipas Prokurorisë i është shkaktuar ndonjë dëm.

“E kemi parasysh se edhe ato kamera edhe ato aparate nuk janë kanë diçka që janë kanë diçka e nevojshme patjetër as për pandeminë, në atë kohë problemi kryesor ka qenë me luftu pandeminë, por jo me incizu”, tha tutje gjykatësi Foniqi gjatë shpalljes së këtij aktgjykimi.

Për realizmin e kërkesës pasurore-juridike, e dëmtuara QKUK nuk është udhëzuar në kontest civil, pasi që sipas gjykatës vetë menaxhmenti i QKUK-së kanë deklaruar se kësaj të fundit nuk i është shkaktuar asnjë dëm.

Ndërkaq, shpenzimet e procedurës penale për këtë rast bien në barrën e mjeteve buxhetore të kësaj gjykate.

Palët e pakënaqura kundër këtij aktgjykimi, pas pranimit të të njëjtit në formë të shkruar, brenda afatit prej 30 ditësh kanë të drejtë ankese.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të përpiluar më 22 mars 2022, Faton Hajzeraj, Leutrim Jahja dhe Ylber Krasniqi, akuzoheshin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, par.1 dhe 2, lidhur me par.3, pika 3.2. e lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Sipas kësaj aktakuze, më 22 dhjetor 2020, në QKUK, në cilësinë e personave zyrtarë IT në QKUK, dhe në bashkëkryerje, në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik, në aktivitetin e prokurimit “Furnizimi dhe montimi i Sistemit të integruar të monitorimit me kamera dhe Integrimi i sistemit të kontrollit të qasjes”, kontratë e nënshkruar mes QKUK dhe “Artech”, kanë nënshkruar raport fiktiv se i tërë aktiviteti është kryer në dhjetor 2020, që përfshinë pranimin e mallit, ekzekutimi i punimeve dhe pranimi teknik i punimeve.

Më tej, thuhet se në këtë raport ka qenë e theksuar se “materiali i pranuar nga komisioni ka qenë në përputhshmëri me kontratën dhe të gjitha pajisjet janë montuar dhe janë në funksion të plotë”, i cili raport sipas aktakuzës ka qenë në kundërshtim me gjendjen faktike.

Sipas kësaj aktakuze, projekti nuk është përfunduar dhe asnjë nga pajisjet nuk ka qenë funksionale, një pjesë e mallit është sjellë në QKUK në muajin shtator të vitit 2021, atëherë kur është bërë auditimi i tenderit dhe publikimi në media, andaj si pasojë e këtyre veprimeve të kundërligjshme buxhetit të QKUK, i kanë shkaktuar dëm material në shumën prej 104 mijë e 751 euro.