17:46 / E Enjte, 18 Tetor 2018 / indeksADMonline

Lirohet nga paraburgimi i dyshuari për falsifikim të parave

Prokuroria e Gjilanit kërkoi nga Gjykata e Gjilanit caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit Senad Aliu nga fshati Geraj i komunës së Preshevës, i dyshuar për veprën penale – falsifikim i parasë.

Prokurori i shtetit Arben Ismajli gjatë seancës dëgjimore deklaroi se mbetet në tërësi pranë kërkesës së paraqitur, duke shtuar se ekzistojnë bazat për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit, duke shtuar se po qe se i njëjti gjendet në liri do të mund të arratiset, pasi që është shtetas i Serbisë dhe të ndikojë në dëshmitarët e rastit siç janë: Arbër Idrizi, Florent Nexhipi dhe Altin Dalipi.

Në këtë fazë të procedurës prokurori paraqiti para gjykatës një CD, ku pretendoi se shihet i pandehuri Arbër Idrizi duke bërë pagesën në shitoren “Waikiki” në Gjilan, ndërsa Senad Aliu, është afër tij.

I pandehuri Senad Aliu dhe mbrojtësi i tij avokati Shemsedin Piraj, e kundërshtuan kërkesën për caktimin e paraburgimit.

Gjyqtari i procedurës paraprake, Naser Maliqi, pasi që i shqyrtoi të gjitha shkresat e lëndës dhe dëgjoi pretendimet  e palëve erdhi në përfundim se kërkesa e Prokurorisë në Gjilan për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit Senad Aliu duhet të refuzohet.

Në arsyetimin e tij, gjyqtari Naser Maliqi, shtoi se për t’u caktuar paraburgimi duhet të ekzistojë dyshimi i bazuar se i pandehuri e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet. Ndër të tjera, duke u bazuar në provat si CD e siguruar nga qendra tregtare “Waikiki” në Gjilan, pastaj incizimet e kamerave të sigurisë nga kjo qendër, nuk ekziston dyshim i bazuar se i pandehuri Senad Aliu, të jetë kryes i veprës për të cilën akuzohet.

Sipas vendimit të gjyqtarit Naser Maliqi, pretendimi i Prokurorisë se Senad Aliu ka qenë nën përcjellje të Arbër Idrizit, është vetëm supozim i pambështetur në asnjë provë të vetme, andaj duke u bazuar këto të dhëna të cekura, gjyqtari Naser Maliqi vlerësoi se nuk është plotësuar kushti ligjor për caktimin e paraburgimit.

Në këtë vendim, detyrohet Qendra e Ndalimit e Stacionit Policor në Gjilan që menjëherë sot ta lirojë të pandehurin Senad Aliu.

Sipas Prokurorisë, Senad Aliu akuzohet për veprën penale falsifikim i parasë ngase më datë 6 korrik 2018, në kohë të papërcaktuar në qendrën tregtare “Waikiki” ai së bashku me Arbër Idrizin, Florent Nexhipin dhe Altin Dalipin, me qëllim të përfitimit pasuror, me dije kanë vënë në qarkullim para të falsifikuara, në atë mënyrë që pas kryerjes së disa blerjeve në këtë qendër, ka kryer pagesën në shumën prej 500 eurove, ashtu që menjëherë pas kryerjes së pagesës janë larguar nga vendi i ngjarjes, me ç’rast me veprimet e tyre ka shkaktuar dëm material në vlerë prej 500 eurosh./Kallxo.com/