17:58 / E Martë, 17 Tetor 2023 / MSH

Lirohet stomatologu i arrestuar pas vdekjes së 35 vjeçares Malishevë

Stomatologu Xhavit Karaxha është liruar nga masa e paraburgimit.

Karaxha ishte i dyshuar pas vdekjes së një 35 vjeçareje në Malishevë, e cila ishte shfaqur me dhimbje të madhe në ordinancën private të stomatologut Karaxha.

Lajmin për lirimin e Karaxhës e ka bërë të ditur avokati Besnik Berisha.

“Beteja kundër padrejtësisë që goditi stomatologun Xhavit Karaxha me mbajtjen e tij në paraburgim për një veprim që nuk përbën krim, mori goditjen e fundit nga Gjykata Supreme.

Kjo gjykatë, duke aprovuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë së ushtruar nga studio jonë, sot liroi nga masa e paraburgimit z. Karaxha” tha Berisha në njoftimin e tij.

Xahvit Karaxha, që punonte stomatolog në një ordinancë private në Malishevë, u arrestua bashkë me motrën e tij, Hanife Karaxha, pronare e ordinancës, të dyshuar për veprat penale “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor” dh “Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike”.