16:52 / E Premte, 09 Dhjetor 2022 / shkelqim osmanaj

Lista Serbe i reagon Britanisë: Radoiçiq është bartës i rezistencës në veri

Lista Serbe (LS) ka reaguar pasi që Britania e Madhe i ka vendosur sanksione nënkryetarit të kësaj partie, Milan Radoiçiq.

Por në reagimin e LS-së thuhet se Radoiçiq është atdhetarë dhe bartës i rezistencës së serbëve në veri të Kosovës.

“Dënojmë ashpër lëvizjet shpifëse të kryera nga armiqtë e njohur të popullit serb duke futur në lista të zeza nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq dhe serbët tjerë që janë atdhetarë dhe bartës të rezistencës ndaj pushtimit të veriut të Kosovës nga Albin Kurti … Nuk ka asnjë listë të zezë, të kuqe apo ndonjë ngjyrë tjetër që mund ta ulë respektin që në mesin e serbëve në Kosovë ka nënkryetari Radoiçiq”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.

Ministria e Punëve të Jashtme e Britanisë së Madhe, të premten ka njoftuar se ka vendosur sanksione ndaj nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq. Britania e Madhe ka sanksionuar edhe Zvonko Veselinoviqin e Slobodan Teshiqin.