19:27 / E Diele, 20 Shtator 2020 / C E

Liverpooli i jep leksion Chelseas, blerjet “zhgënjejnë” para kampionëve

Liverpolli ka shënuar fitore të madhe në derbin e javës së dytë të Premierligës kundër Chelseas në Stamford Bridge.

Reds mposhtën blutë me rezultat 0-2 në një ndeshje të dominuar sidomos në pjesën e dytë.

Pjesa e parë nuk dhuroi gola por solli ndoshta momentin më të rëndësishëm të ndeshjes.

Christiensen u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrje ndaj Mane si lojtar i fundit dhe e la Lampardin me 10 lojtar.

Liverpooli gjeti golin menjëherë në pjesën e dytë të ndeshjes, shkruan Indeksonline.

Sadio Mane zhbllokoi rezultatin në minutën e 50-të me një gol me kokë pas krosimit të Firminos.

Numri 10 i Liverpoolit dyfishoi rezultatin vetëm katër minuta më vonë pasi i vodhi topin portierit të Chelseas, Kepa Arizabalaga.

Blutë ishin afër të shënonin golin e parë në minutën e 75-të, por Jorginho dështoi nga pika e bardhë.

Në pjesën e dytë luajti edhe transferimi i kësaj vere i Liverpoolit, Thiago Alcantara.

Me këtë fitore, Liverpooli grumbullon gjashtë pikë derisa Chelsea mbetet me tri pikë pas javës së dytë. /IndeksOnline/